E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia e re e PS, Fino: Duhet ndryshim rrënjësor

TIRANE - Deputeti socialist, Bashkim Fino ka propozuar lënien jashtë kryesisë së re të Partisë Socialiste të gjithë atyre kolegëve të tij që kanë dalë kundër vendimeve të grupit parlamentar.

Në një interviste televizive, Fino është shprehur qartë se kryesia socialiste e ka të domosdoshme, sipas tij një ndryshim rrënjësor dhe thelbësor.
“Ne nuk na pengojnë instrumentat. Ato i kemi. Problemi është që ne nuk i zbatojmë ato sa dhe si duhet. Unë jam që mendim ndryshe duhet të kemi patjetër por në fund të fundit kur vendosim në strukturat e partisë dhe në mënyrë të veçantë në grupin parlamentar të nesërmen e asaj që kemi vendosur duhet të votojmë sipas vendimit. Mendoj se ka nevojë për një ndryshim rrënjësor dhe thelbësor kryesia e PS-së por kjo është çështje që i takon më shumë z.Rama”, është shprehur Fino.

Në funksion të këtij qëndrimi ai ka shtuar gjithashtu se lënia jashtë kryesisë e këtyre individëve nuk ka pse të sjellë pakënaqësi. Përkundrazi, ka shtuar Fino, ajo duhet të sjellë motivimin e tyre në të ardhmen për të punuar më shumë për Partinë Socialiste. “Nuk duhet që individë dhe njerëzit ta marrin si pakënaqësi. Pavarësisht se mund të propozohen apo jo emrat e tyre apo pavarësisht se dhe mund të propozohen dhe s’mund të vitojnë. Në fund të fundit në kryesinë e PS do jenë 15-20 veta. Kuptohet që dikush nuk do të zgjidhet. Dhe unë nuk do ta mendoja kurrësesi si një qejfmbetje personale që do të krijojë probleme. Përkundrazi duhet të motivohen më fort këta njerëz për të punuar për PS”, është shprehur Fino. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›