E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i ri i SPAK, Rama: Uroj ta çojë institucionin në një nivel tjetër

Kryeministri Edi Rama, në episodin më të fundit të podcastit “Flasim”, është ndalur te zgjedhja e Klodjan Brahos si drejtues i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), i cili do të pasojë Altin Dumanin në krye të institucionit.

Rama vlerësoi punën e Altin Dumanit, duke theksuar se ai e ngriti SPAK-un në një nivel të ri dhe e ktheu në një institucion që synon drejtësinë pa dallime politike. “SPAK zgjodhi drejtuesin e ri i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjetër, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij, atë që dukej si parrullë e parealizueshme: një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, por vetëm drejt,” u shpreh ai.

Kreu i qeverisë i uroi suksese drejtuesit të ri, Klodjan Braho, duke theksuar pritshmëritë për rritjen e profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, suksesi i SPAK nuk mund të matet me statistika të mbështetura te neni i shpërdorimit të detyrës, për të cilin së fundmi ka dalë edhe një direktivë e re e Bashkimit Europian që adreson shqetësime të ngritura më herët.

“Kryeprokurorit të ri Klodjan Braho i uroj ta çojë SPAK në këtë 3-vjeçar të fundit të ciklit 9-vjeçar në një nivel tjetër sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur me sukses nga ai institucion nëse maskohet me statistika të nxjerra nga thesi i madh siç quhet neni i shpërdorimit të detyrës, për të cilin sapo ka dalë edhe një direktivë e re e BE-së për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat”, theksoi Rama.

Rama kritikoi edhe publikimin e transkripteve telefonike nga dosjet hetimore, duke i cilësuar si “lojëra mediatike të llojit Big Brother”, të nxjerra në shkelje të ligjit.

“Kam besim se arritjet e padiskutueshme dhe modestia e domosdoshme për të parë me sy kritik punën e deritanishme mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë,” përfundoi kryeministri.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›