E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i shtetit apelon për ruajtjen e vlera muzeale dhe turistike të qytetit të Beratit.

17 mars 2010
Berat

Në vijim të vizitës së tij të punës në qytetin e Beratit, Kreu i shtetit shqiptar pasi zhvilloi një takim me drejtuesit më të lartë vendorë, vizitoi Galerinë e Arteve “Edward Lear” duke u ndalur më pas veçanërisht në Qendrën Muzeale dhe Muzeun Etnografik. I pritur dhe i shoqëruar edhe nga Drejtori rajonal i Monumenteve të Kulturës, Lonik Çuedari, nga Drejtori i Muzeut “Onufri” dhe atij Etnografik, Kastriot Dervishi si dhe nga Drejtori i Galerisë së Arteve “Edward Lear” të qytetit të Beratit, Agron Polovina, Presidenti Topi së bashku me anëtarë të kabinetit të tij, u ndal dhe vizitoi Kishën “Fjetja e Shën Mërisë” me ikonat e Onufrit që daton në shekullin XVII si dhe disa objekte muzeale në lagjen “Kala”.

Në këtë lagje karakteristike beratase me interes të veçantë arkitektonik Kreu i shtetit u mikprit ngrohtësisht nga banorët vendas duke u përshëndetur përzemërsisht me ta dhe vizitoi një shtëpi të tipit hotelerik duke apeluar për ruajtjen dhe pasurimin e mëtejshëm të pasurisë historike, muzeale dhe turistike të Beratit. Presidenti Topi duke vënë në pah rëndësinë e traditave dhe vlerat e vyera qytetare, arsimore, arkeologjike e turistike dhe të bashkëjetesës fetare të Beratit, theksoi se ky qytet është përfshirë edhe në listën e pasurisë kulturore botërore të UNESCO-s.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›