Kryeministri Berisha inauguron fillimin e punimeve për rrugën qendër e komunës Prezë-rruga nacionale, investim 176 milion lekë
Pas një dimri të fortë që kaloi vendi dhe jo vetëm vendi ynë, por mbarë Europa dhe bota, të cilin, fatmirësisht, ne e kaluam pa dëme njerëzore nga katastrofat natyrore, nis një pranverë me një fillim të madh.
Shqipëria ka përcaktuar kushtet më të favorshme për biznesin në Europë, taksat më të ulëta, mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë ka vendosur ka barrën më të lehtë burokratike.
Ne e kapërcyem me sukses të madh [vitin 2009] dhe mbetëm një nga 3-4 vendet në botë për rritjen ekonomike të ndjeshme, sepse ne, siç ju jeni dëshmitarë, e kemi shndërruar vendin në një kantier.
Ne do të vazhdojmë projektin tonë dhe ky projekt është ai i ndryshimit vendimtar të Shqipërisë, e shndërrimit të saj në një vend të vërtetë europian, është projekti me të cilin shqiptarët do ta ndjejnë veten qytetarë europianë, së pari, me heqjen e vizave brenda këtij viti.
Kryeministri Berisha inauguroi sot fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës që lidh qendrën e komunës së Prezës, në Tiranë, me rrugën nacionale. Rruga, me gjatësi 3.7 kilometra, është një investim prej 176 milion lekë i Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Rruga do të jetë me gjerësi 5 metra dhe projekti i saj përfshin trotuare në të dy krahët dhe ndriçim në tërë gjatësinë e saj.
Në përshëndetjen drejtuar banorëve të Prezës për këtë vepër të re publike të komunës së tyre, Kryeministri Berisha u shpreh:
“është një gëzim e kënaqësi për mua të inaugurojmë sot, së bashku, fillimin e punimeve të rrugës që lidh qendrën e komunës suaj me rrugën kombëtare. Sot inaugurojmë fillimin e punimeve të njërës prej rrugëve turistike më të bukura të Shqipërisë, e cila do të mund të shtojë me shpejtësi vizitorët nga Tirana, Shqipëria dhe mbarë bota në komunën tuaj. Ky është një projekt i vërtetë turistik me 3.7 kilometra rrugë, investim prej 176 milion lekë. Rruga do të jetë me gjerësi 4-5 metra, me trotuare dhe ndriçim në tërë gjatësinë e saj. Preza, dikur fortesë e paepur, sot, me këtë rrugë, shndërrohet në një bizhu të vërtetë turistike për banorët e saj, për qytetarët e Tiranës, qytetarët shqiptarë dhe të mbarë botës. Qeveria ka porositur që rruga të jetë në lartësinë e bukurive të mëdha që ka Preza dhe qendra juaj. Projektuesi dhe investitori Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk kanë kursyer asgjë për të hartuar një projekt ndër më të bukurit në Shqipëri.
Vëllezër dhe motra,
Pas një dimri të fortë që kaloi vendi dhe jo vetëm vendi ynë, por mbarë Europa dhe bota, të cilin, fatmirësisht, ne e kaluam pa dëme njerëzore nga katastrofat natyrore, nis një pranverë me një fillim të madh. Ky fillim i madh dëshmohet, para së gjithash, nga dinamizmi i ekonomisë shqiptare. Nuk ka asgjë më të rëndësishme për ne, sesa turra-vrapi në ekonominë e vendit, në ekonominë e gjithsecilit, ngjitja me shpejtësi.
Viti 2009 ka qenë viti i një krize botërore nga më të thellat në historinë e njerëzimit. Këtë vit, siç e keni dëgjuar, shumica e vendeve të Europës jo vetëm që nuk shënuan rritje ekonomike, por zbritën nën zero, deri në minus 8 përqind. Në këtë vit, shumica e vendeve jo vetëm që nuk rritën pagat dhe pensionet, por u detyruan t’i ulin ato nga 6 deri në 14 përqind, madje u detyruan t’i ulin jo vetëm një herë, por në mjaft raste edhe dy herë. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse Shqipëria ka përcaktuar kushtet më të favorshme për biznesin në Europë, taksat më të ulëta. Kjo nuk ndodhi në Shqipëri, sepse Shqipëria mbi shpatullat tuaja, mbi shpatullat e taksapaguesve shqiptarë ka vendosur ka barrën më të lehtë burokratike. Sot, ne kemi një administratë që juve ju kushton, apo ju e paguani 50 përqind më pak, sesa taksapaguesit e vendeve përreth dhe kjo, jo se ne nuk e paguajmë administratën, pasi sot, ne e paguajmë administratën 30 përqind më shumë edhe sesa disa vende anëtare të Bashkimit Europian si Bullgaria apo Rumania, por kjo, sepse ne kemi shkurtuar në mënyrë drastike shpenzimet e tepërta të administratës. Sikundër kemi shkurtuar administratën, vetëm e vetëm, që barra e saj të mos ju përkulë juve.
Ne e kapërcyem me sukses të madh dhe mbetëm një nga 3-4 vendet në botë për rritjen ekonomike të ndjeshme, sepse ne, siç ju jeni dëshmitarë, e kemi shndërruar vendin në një kantier. Në të katër anët, Shqipëria është në rindërtim dhe ndërtim. Kam kënaqësi që çelëm siparin e punimeve të pafundme publike të këtij viti me rrugën e komunës suaj dhe ju siguroj se gjatë këtij viti, ne do të inaugurojmë fillimin e punimeve në qindra e mijëra kilometra rrugë në të katër anët e vendit, rrugën e Arbrit, autostradën Tiranë-Elbasan, segmentin e Boshtit të Jugut Berat-Tepelenë, vazhdojnë punimet në Korçë-Qafë Plloçë dhe qindra e mijëra kilometra rrugë rurale.
Ne do të vazhdojmë projektin tonë dhe ky projekt është ai i ndryshimit vendimtar të Shqipërisë, e shndërrimit të saj në një vend të vërtetë europian, është projekti me të cilin shqiptarët do ta ndjejnë veten qytetarë europianë, së pari, me heqjen e vizave brenda këtij viti, siç është premtuar, me rritjen e vazhdueshme të rrogave e pensioneve, në ndërtimin e infrastrukturës më moderne në rajon e më gjerë, me zhvillimin më tej të potencialeve të mëdha të vendit, potencialeve ujore, turistike, minerare. Shqipëria turistike do të jetë Shqipëria e shërbimeve më të mira për turistët nga mbarë bota. Shqipëria europiane do të jetë Shqipëria e arsimit modern, e shëndetësisë moderne, do të jetë Shqipëria, në të cilën qytetarët e saj do ta ndjejnë veten gjithnjë e më krenarë.
Edhe një herë, gëzuar! Jam i bindur se kjo rrugë do ta ndryshojë e do ta bëjë Prezën, që është një bizhu, një stoli të vërtetë në vargun e mrekullueshëm të kodrave që nisin këtu e përfundojë në Kepin e Rodonit në det.”
18/03/2010