E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kreu i shtetit do të zgjidhet vetëm në përputhje me Kushtetutën”

22/06/2011  Presidenti i ri, Kryeministria sqaron pozicionin e saj përballë opozitës

“Presidenti i Republikës do të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”. Kjo ka qenë përgjigjja e ardhur dje nga Kryeministria, lidhur me shkrimet e botuara dje në disa të përditshme, ku flitej se mazhoranca qeverisëse do t’i krijojë hapësirat e nevojshme opozitës parlamentare për propozimin e kryetarit të ardhshëm të shtetit. Sipas këtij pretendimi, kryeministri Sali Berisha, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, në fjalën e mbajtur në takim i ka garantuar Partisë Socialiste se do të miratonte propozimin e saj mbi një post të tillë. Kështu, duke iu referuar këtyre zërave, Kryeministria preferoi dje që të sqarojë një çështje të tillë përmes një deklarate të zëdhënëses për shtyp pranë këtij institucioni, Erla Mëhilli. “Dy të përditshme shqiptare i kanë lejuar vetes t’i atribuojnë kryeministrit një deklaratë, sipas të cilës, kryeministri është shprehur se do t’i ofrojë opozitës postin e Presidentit të Republikës. Kryeministri Berisha nuk ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. Kjo deklaratë është kryekëput trillim i këtyre mediave, që thjesht shënon një rekord dizinformimi mediatik”, theksohej në sqarimin e bërë për opinionin publik nga zëdhënësja e kryeministrit. Gjithashtu, po në këtë linjë, Mëhilli nënvizoi faktin se “Kryeministri ka qenë dhe është i palëkundur në qëndrimin e tij për respektimin e Kushtetutës dhe shtetit ligjor. Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës do të zgjidhet vetëm në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit”. Ndërkohë që në fjalën e tij përpara ligjvënësve demokratë, kreu i qeverisë, Berisha, u shpreh se “uroj, dëshiroj dhe e ftoj opozitën që të marrë të gjithë rolin dhe peshën e saj në ushtrimin e pushtetit që i ka dhënë sovrani. Të gjitha kandidaturat me 3/5 do të jenë ekskluzivisht propozime të saj, pa një alternativë nga shumica. Në të gjitha ligjet me 3/5 do të ketë drejtën të bëjë të gjitha amendamentet që mendon se përmirësojnë standardet e tyre dhe mazhoranca t’i votojë”. Por në Kushtetutë, në nenin 87 pika 3, saktësohet fakti se pas raundit të katërt, presidenti i vendit mund të jetë kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, pa dashur kështu shumicë të cilësuar kartonësh.

Incidenti Kokona-Gjoni

Ruçi: PS po dhunohet fizikisht dhe verbalisht nga Berisha

Manipulimi shtetëror i zgjedhjeve të 8 majit po mbjell dhunë fizike dhe verbale të përditshme kundrejt përfaqësuesve opozitarë. Ky ishte pretendimi i ardhur dje nga kreu i ligjvënësve socialistë, Gramoz Ruçi, i cili reagoi lidhur me përplasjen mes vëllait të kryetarit të Minibashkisë 3, Ilir Kokonës dhe deputetit të PS-së, Ilir Gjoni, i dhunuar fizikisht dhe me fyerje të rënda. “Ngjarja lidhet e gjitha me skemën e manipulimin shtetëror të zgjedhjeve të 8 majit, të cilën ne e kemi denoncuar çdo ditë. Për këtë shkak dhe për këtë arsye dhuna fizike dhe verbale iu kthye dje deputetit të PS, Ilir Gjoni, i cili gjendej thjesht në zyrën elektorale të kësaj njësie elektorale, në prani të dhjetëra qytetarëve, që shikonin të tmerruar këtë gjë”, vuri në dukje Ruçi gjatë fjalës së tij, lidhur me një incident të tillë. Sipas kreut të grupit kuvendor socialist, dhuna e ushtruar ndaj deputetit Ilir Gjoni dhe të zgjedhurve të PS tregon qartë se përpara vjedhjes së votës, pushteti i Sali Berishës nuk kursen asgjë, as dhunën ndaj deputetëve dhe as dhunën ndaj opozitës, ndaj të cilëve mund të ushtrohet ajo pa pikë frike se ligji nuk ndëshkon askënd. “Ky është shteti i Sali Berishës, që nga njëra anë përgjërohet për dialog me opozitën dhe nga ana tjetër nxit falangat e krimit për të dhunuar të zgjedhurit e saj e për të përhapur terror në republikën e tij të frikës, e cila po instalohet përditë”, u shpreh ai, duke risjellë në kujtesë dhe të tjera incidente të kësaj natyre. “Ne presim që drejtësia të bëjë drejtësi për ngjarjen e rëndë, siç presim që drejtësia dhe ligji të veprojnë ndaj të gjithë atyre që vranë Fatmir Xhindin, Remzi Veselin, 4 protestuesit e pafajshëm e ndaj të gjithë pushtetarëve që vrasin, që vjedhin, që abuzojnë me qytetarët e thjeshtë e në kurriz të tyre”, apeloi Ruçi.

Procesi i numërimit të votave në KQZ

Klosi: Po hetojmë mbi vjedhjen dhe manipulimin

Partia Socialiste ka nisur një hetim të pavarur përllogaritjen aritmetike të tabelave të qendrave të votimit për Bashkinë Tiranë. Një fakt i tillë u bë i ditur nga deputeti i PS-së, Blendi Klosi, i cili gjatë një konference për shtyp akuzoi kryetarin e KQZ-së për manipulim të rezultatit zgjedhor në Tiranë. “Kemi filluar të hetojmë çmendurinë aritmetike të tabelave të Ristanit, që së shpejti do të zbardhë për çdo qendër votimi skemën e trashë e primitive të vjedhjes të mandatit të Bashkisë së Tiranës. Sot nuk ka mbetur më qytetar shqiptar apo mik e partner i huaj i Shqipërisë, që të mos kuptojë se çfarë krimi është duke kryer Ristani për llogari të Sali Berishës. Ky proces kriminal, ilegjitim, manipulativ e spekulativ nuk mundet dot kurrë të legalizojë vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit”, vuri në dukje Klosi, lidhur me këtë çështje. Sipas tij, vjedhja dhe turpi që filloi pas numërimit, që u pa nga miliona qytetarë shqiptarë dhe që nxori fitues Edi Ramën, tanimë ka degjeneruar në një farsë që nuk është parë e dëgjuar kurrë në ndonjë vend të botës demokratike. “Kutive të thyera e të mbushura me vota për Lulzim Bashën, kodeve që mungojnë e kodeve të manipuluara që nuk përputhen me kodet e shënuara në procesverbale, zarfeve të votave të kontestuara që zhduken pa nam e pa nishan dhe fletëve të votimit që gjenden jashtë zarfeve tanimë u janë shtuar dhe kërcënimet kundër vëzhguesve të opozitës apo përjashtimet e vëzhguesve që kanë denoncuar parregullsitë dhe manipulimin e kutive. Të gjitha këto, pjesë e një procesi të turpshëm, kriminal e primitiv vjedhjeje për të grabitur Bashkinë e Tiranës”, vlerësoi deputeti i PS-së, Klosi.

Raporti i TIA-s

“Ngërçi politik pengesë për ecurinë e reformave”

Transparency International publikoi dje në Bruksel raportin e saj, ku në analizën për Shqipërinë nuk kurseu dozën e kritikave për klasën politike. Kështu, në raportin e titulluar “Masat antikorrupsion të BE-së, matja e progresit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Turqi” (EU anti-corruption requirements: measuring progress in Albania, Kosovo, FYR Macedonia and Turkey) kjo organizatë vë theksin në faktin se të katër shtetet duhet të bëjnë më shumë për të garantuar zbatimin e ligjeve antikorrupsion. Por ndalur në ecurinë e reformave në vendin tonë, raporti veçoi se ngërçi i vazhdueshëm mes dy partive politike ka ndaluar reformat më të rëndësishme në dy vitet e fundit. Për këtë arsye, i bëhet thirrje klasës politike për implementimin e ligjeve antikorrupsion, si kusht për integrimin në BE. “Ngërçi i vazhdueshëm mes partive politike ka ndaluar reformat e rëndësishme përgjatë dy viteve të fundit. Sistemi gjyqësor ka nevojë për reforma që të sigurojë pavarësinë, besueshmërinë dhe profesionalizmin e gjykatësve”, vlerësohej në raportin e TIA-s. Gjithashtu në këtë raport të fundit, kjo organizatë ndalet në sistemin gjyqësor, ku kërkoi “rritje të kapaciteteve dhe kriteret e përpikta për emërimin e gjykatësve dhe imunitet i limituar në raste keqpërdorimesh dhe korrupsioni”. Ndërkohë që sa i përket administratës publike dhe administratës në parlament, raporti konstatoi se ka një ndërhyrje politike në emërimin e nëpunësve civilë, ndërsa parlamentit i mungon një administratë profesionale dhe e pavarur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›