E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria zbërthen dy motivet e sherrit mes këngëtareve Rozi-Rezi

22/06/2011  Konfliktet tek “Vip Shtëpia”. Jeta intime e Rozana Radit me burrin e Rezarta Shkurtës

TIRANE- Një konflikt i lindur gjatë emisionit “Vip Shtëpia” në Kosovë, si dhe një lidhje dashurie disa vite më parë mes Rozana Radit dhe Ermal Hoxhës, burrit të Rezarta Shkurtës, kanë qenë indiciet e para që sollën sherrin fizik mes dy këngëtareve. Momentalisht Prokuroria ka mbyllur të gjitha veprimet hetimore dhe se çështjen në ngarkim të Shkurtës ja ka referuar gjykatës për shqyrtim lidhur me akuzën e ‘plagosjes së lehtë me dashje’. Sipas Prokurorisë së Tiranës, ekzistojnë plot 11 prova që provojnë fajësinë e këngëtares, e cila në dhjetor të vitit 2010 ka qëlluar me grushte ish-shoqen e saj Rozana Radi, duke i shkaktuar dëmtime në syrin e majtë. Nga administrimi i të gjitha provave në dosje rezultoi se më 6 dhjetor 2010, rreth orës 03:00 e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi, duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës. Si pasojë e këtyre goditjeve shtetases Rozana Radi i janë shkaktuar dëmtime që klasifikohen në plagosje të lehtë. Ndërkohë që nga shkresa me nr.FRS/3320/OH e kompanisë ‘VODAFONE’, rezulton se e pandehura Rezarta Shkurta rreth orës 03.03 ka marrë në telefon Rozana Radin. Ky fakt tregon se ka qenë Rezarta, e cila i ka kërkuar takim Rozanës, takim i cili më pas ka përfunduar me konfrontimin fizik të Rezartës me Rozanën. Kjo e fundit në kallëzimin e saj deklaron se me shtetasen Rezarta Shkurta ka pasur një konflikt në emisionin ‘Vip Shtëpia’ në Kosovë. Sipas kallëzueses Rezarta Shkurta i ka çuar mesazhe fyese në Facebook. Në datën 5 dhjetor 2010 Rezarta i ka kërkuar takim Rozanës. Ato janë takuar afër ‘Liqenit të Thatë’ në zonën e Kopshtit Zoologjik. Rozana ka qenë në makinë, dhe në këtë moment Rezarta e ka qëlluar me grushte Rozanën, e cila kishte pak kohë që kishte bërë një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks dhe po mbronte me duart e saj pjesën e bustit të trupit, në një kohë që kishte lënë të zbuluar pjesën e fytyrës, ku dhe ka marrë goditje me grushte nga Rezarta Shkurta. Lidhur me këtë ngjarje është pyetur shtetasja Rezarta Shkurta, e cila sqaron se ka pasur konflikt me shtetasen Rozana Radi dhe marrëdhëniet e tyre nuk kanë qenë të sinqerta, pasi Rozana ka qenë e lidhur para disa kohësh me shtetasin Ermal Hoxha bashkëshortin e Rezartës. Sipas Rezartës, ato kanë pasur konflikt edhe në një emision të zhvilluar nga një televizion në Kosovë. Në lidhje me ngjarjen Rezarta shpjegon se nuk ka sulmuar Rozanën dhe se ajo ka qenë në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi është sulmuar nga Rozana. Rezarta mohon që ta ketë goditur në fytyrë Rozanën. Duke ju referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjeko-ligjor rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim. Ky fakt tregon se person i dëmtuar në rastin konkret është shtetasja Rozana Radi.

Provat e prokurorisë

1. Dëshmia e Rozana Radit

2. Dëshmia e Valbona Memës

3. Dëshmia e Andeta Radit

4. Dëshmia e Sinan Hoxhës

5. Dëshmia e Loren Radit

6. Dëshmia e Ermal Hoxhës

7. Dëshmia e Ilir Licos

8. Dëshmia e Gerti Bajramit

9. Ekspertimi mjeko-ligjor i të dëmtuarës

10. Shkresa nga kompania ‘Vodafone’

11. Deklarimet e vetë të pandehurës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›