E Diel, 1 Nëntor 2026

Italia ndryshon procedurën e legalizimit të dokumenteve për shqiptarët

22/06/2011  Nga 1 korriku hyn në fuqi marrëveshja e re

Ndryshojnë procedurat për legalizimin e dokumenteve që të konsiderohen të vlefshme nga pala italiane për shtetasit shqiptarë. Konkretisht bëhet fjalë për aktet publike shqiptare, të cilat për t’u konsideruar të vlefshme nga ky shtet, nuk do të jetë më e nevojshme që të legalizohen pranë përfaqësive konsullore italiane, mjafton vetëm që të jenë të pajisura me vulën e apostiles nga ana e Ministrisë së Jashtme shqiptare. Megjithatë, procedura parashikon që për t’u pranuar nga autoritetet italiane, aktet publike (të pajisura me vulën e apostiles) duhet të jenë të përkthyera në gjuhën italiane. Kjo e fundit, detyrimisht duhet të kryhet apo vërtetohet në përputhje me origjinalin nga ana e përfaqësive konsullore italiane (ambasada italiane në Tiranë, konsullata e përgjithshme në Vlorë, konsullata e Shkodrës). Kështu, duke filluar nga data 1 korrik 2011, këto përfaqësi konsullore nuk do të kryejnë më legalizimet tradicionale të akteve publike shqiptare, por do të pranojnë vetëm dokumente të pajisura me apostile nga Ministria e Jashtme shqiptare. Kjo e fundit është arritur falë nismës së ndërmarrë nga ambasada italiane në kryeqytet, e cila duke marrë në konsideratë përparimet e bëra nga vendi ynë gjatë viteve të fundit, e sidomos me atë të liberalizimit të vizave Shengen, i ka kërkuar Ministrisë italiane të Punëve të Jashtme (në marrëveshje me ministritë e tjera të interesuara, atë të Brendshme dhe atë të Drejtësisë) për të tërhequr kundërshtinë që bllokonte hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Hagës mes Italisë dhe Shqipërisë. Kjo procedurë e re do t’u vijë në ndihmë shtetasve shqiptarë, të cilët tashmë do të kursejnë jo vetëm kohën për plotësimin e dokumentacioneve, por edhe paratë. Sipas të dhënave të bëra publike, rezulton se vetëm kancelaria konsullore e ambasadës së Italisë në Tiranë ka kryer deri tani rreth 77.000 legalizime të këtyre akteve çdo vit. Hollësitë rreth procedurave që do të ndiqen për të përftuar përkthimin e akteve publike me apostile do të bëhen të ditura në ditët në vijim përmes faqes së internetit të përfaqësive diplomatike-konsullore italiane në Shqipëri.

Kujdes!

Duke filluar po nga data 1 korrik 2011 nuk do të pranohen më përkthimet e kryera nga persona që nuk bëjnë pjesë në listën zyrtare të përkthyesve të betuar shqiptarë (depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë shqiptare). Për përkthimet publiku duhet t’i drejtohet pra:

• Vetë përfaqësive konsullore italiane, të cilat do të kryejnë drejtpërdrejt përkthimet;

• Institutit Italian të Kulturës në Tiranë;

• Një përkthyesi shqiptar të betuar (që bën pjesë në listën e depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë).

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›