Kreu i ushtarakëve, Oketa kërkon masa të rrepta sigurie dhe analizën e ngjarjes
/>Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka kërkuar analizë të hollësishme për ngjarjen e dy ditëve më parë, nxjerrjen e përgjegjësive, si dhe marrjen e masave urgjente të sigurisë në punë, në uzinë e armëve në Poliçan. Gjatë një vizite të bërë ditën e djeshme në këtë qytet, Oketa ka shprehur ngushëllimet e tij në familjen Kapxhiu si dhe është takuar me drejtues të uzinës, të cilëve u ka kërkuar dhe më shumë masa madje të rrepta për sigurinë teknike për punëtorët.
Fillimisht kryeushtaraku shqiptar ka zhvilluar një takim në ambientet e drejtorisë në ish- uzinën e prodhimit të armëve dhe municioneve, tashmë e kthyer në uzinë mekanike dhe së fundi edhe poligon për demontimin e armëve të dhe municioneve që ndodhen në tunelet dhe depot ushtarake që nga koha e komunizmit në tunelet e depot e rrethit të Skraparit. Ministri Oketa udhëtuar dje drejt Poliçanit për të parë nga afër vendin ku ndodhi shpërthimi i djegores që i mori jetën gruas 45- vjeçare, Suzana Kapxhiu, si dhe u plagos kolegu i saj, Adriatik Hasanbelliu. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më shumë se 1 orë, Oketa ka urdhëruar që të merren masa urgjente të sigurisë teknike të rrepta për punëtorët si dhe të analizohet thellësisht dhe hollësisht ngjarja e ndodhur dy ditë më parë. Ndonëse shpërthimi ka ndodhur nga pakujdesia e punëtorëve, gjithsesi në këtë uzinë duhet të ketë rregulla të rrepta sigurie. Këtë problem po e përsëris për arsye që nga sot e tutje të mos ketë më ngjarje të tilla tragjike, ka thënë Oketa, i cili nga ana tjetër u ka kërkuar drejtuesve të uzinës që të krijonë kushte për të filluar demontimin e armëve sa më shpejt, pasi ambientet e ish- uzinës janë të përshtatshme për të kryer një proces të tillë dhe se për vetë pozicionin e uzinës si dhe për vetë vendin ku ndodhen me shumicë municionet në rrethin e Skraparit në këtë uzinë, mundet që të bëhet demontimi i tyre. Poliçani ka qindra specialistë ndaj dhe duhet të zgjidhen nga më të mirët për të kryer këtë proces punë të ndërlikuar, ka kërkuar Oketa, i cili më pas ka lënë dhe detyrat përkatëse për problemet e demontimit si dhe për zbatimin e rreptë të sigurisë teknike.. Më pas, Oketa ka shkuar në familjen Kapxhiu ku dhe ka bërë ngushëllimin e rastit si dhe ka premtuar se dikasteri që ai drejton, do të japë një ndihmë të mjaftueshme për dy fëmijët e kësaj familjeje tashmë të ngelur jetimë nga të dy prindërit.