E Shtunë, 31 Tetor 2026

Negativizmi - Kalë beteje i Z. Edi Rama

Kryetari i PS-së, z. Rama në turet e tij nëpër Shjqipëri me “lot” në sy po “qan hallet” e të gjithë shtresave të popullsisë, duke theksuar në çdo rast se shkaktarët e “varfërisë” e të gjendjes së “vështirë” që po kalon vendi janë paraardhësit e tij dhe të qeverise aktuale, natyrisht duke e përjashtuar përgjegjësinë si ish-ministër apo kryeministër i bashkisë së kryeqytetit që ka rreth 1/3 e popullsisë së Shqipërisë. Pasi e shkarkon barrën tek të tjerët përpiqet të bindë njerëzit se vetëm Ai mund të lumturojë Shqipërinë. Prandaj, ngado që shkon e kudo që flet bën thirrje që populli pa dallim: të majtë apo të djathtë, të pasur apo të varfër, të rinj apo të vjetër të bashkohen rreth Tij e të marrin vesh mirë se çfarë thotë Ai sepse Ai dhe vetëm Ai di të “drejtojë“ këtë vend. “Te tjeret jane zëra”.
Për të shumë fishuar prpoagandën e tij Z. Rama ka organizuar pjesën më të madhe të mediave elektronike e të shkruara  ka vënë në funksionim aparatin e bashkisë së Tiranës dhe tellallët e tipit Balla, Brace etj etj si dhe servilë të tjerë si këta që gjithë kohën rrinë para kamerave duke sharë qeverinë e Sali Berishës. Për të shumëfishuar zërin e së keqes Ai përdor parlametarët e tij, mitingjet, konferencat e shtypit, takimet me të huajt etj etj. Por Z. Rama me ndërtimin e një propagande të tillë ka harruar dy gjëra thelbësore:
E para, deri më sot, nuk ka ekzistuar ndonjë parti që përfaqëson dhe mbron interesat e të gjithë shtresave të shoqërisë. Këtë formulë e ka provuar më së miri në zgjedhjet e fundit në Kashar ku Kandidati i PS mori pak vota, madje më pak se kandidati i pavarur.
Koncepti parti e të gjithë popullit ka marrë goditeje sapo ka lindur shumë e shumë kohë përpara sepse partitë përfaqësojnë interesat politike, shoqërore dhe ekonomike të një grupi njerëzish, pra as Ai edhe partia e tij nuk bëjnë përjashtim nga ky përcaktim dhe nga praktika e derisotme botërore. Ndoshta këtë e di Z. Rama, por tregohet demagog për të tërhequr sa më shumë votues ose së paku për të penguar hemoragjinë që ka zënë Partine Socialiste dhe ekipin drejtues te saj. Për këtë gjendje në PS përgjegjësi kryesor është vetë Z. Rama me egoizmin e Tij të shfrenuar për pushtet dhe tutelën që kërkon të ushtrojë brenda partisë së tij ndaj aleateve. Së dyti, z. Rama kërkon të rrisë vlerat e tij duke mohuar vlerat e arritura nga të tjerët aleat kundërshtar politikë qofshin ata që e sollën në pushtet. Atij për ambicjen që ka për karrierë i intereson që të përdorë formulën qëllimi  justifikon mjetin pra Atij i duket krejt e natyrshme dhe e moralshme të zhvlerësojë kundërshtarët e tij me qëllim që të hyp në majë të piramidës shtetërore. Duke qenë kështu Z. Rama goditjen kryesore pasi largoi ish kryetarin e PS, Fatos Nano e ka drejtuar ndaj z. Berisha dhe qeverisë së Tij, duke e quajtur Atë të paaftë dhe të korruptuar dhe që ka dështuar në programin e hartuar. Por nuk është vetëm Z. Rama që bën vlerësime. Është një popull i tërë anembanë Shqipërisë dhe jashtë saj që i shohin dhe i vlerësojnë arritjet e qeverisë Berisha, janë organizmat ndërkombetarë të BE, specialistët e huaj që monitorojnë Shqipërinë, janë drejtues të shteteve të ndryshme të botës që sot flasim me superlativa për arritjet në Shqipëri gjatë tre vjetëve të fundit ku qeveris mazhoranca aktuale me kryeministër Sali Berisha. Duke qenë kështu edhe njeriu më i thjeshtë në Shqipëri e kupton fallsitetin e propagandës që bën z.Rama e të tjerë opozitarë si ky. Ai në vend që, vërtet të bëjë opozitë konstruktive me qëllim që vendi të zhvillohet normalisht bëjnë rolin e kukuvajkave dhe shfrytezojnë çdo fatkeqësi që ndodh për gabime njerëzore si në Gërdec apo vdekje aksidentale si ndodhi me të ndjerin z.Trebicka me qëllim që ti zemërojnë njerëzit që ata ti kundërvihen qeverisë, pra të shfrytëzojnë fatkeqësitë e njerëzve për të fituar politikisht. Për të konkretizuar më mirë kontradiskionin që përmendëm më sipër ndërmjet pozitës dhe opozitës po ndalem vetëm në sektorin e arsimit. Meqë jam specialist i këtij sektori, jam më i ndjeshëm ndaj tij, e përveç kësaj është e pamundur që në një artikull të flasim për të gjithë sektorët e tjerë të jetës. Kushdo që ka ndjekur takimet e shumta të Z. Rama me mësues, nxënës, me studentë dhe profesorë me popullin dhe drejtuesit që i kanë shkuar mbrapa ka dëgjuar vetëm një melodi. Ajo është melodi vajtimi që dirigjohet nga kryetari socialist. Kjo melodi përhapet e shumë fishohet nga aparati i propagandës që e shoqëron. Në të spikat refreni që përsëritet nga një takim në tjetrin e ku mohohet gjithçka që ëshëe bërë nga qeveria aktuale. Madje Z. Rama shkon në ekstrem kur pohon se të rinjtë nuk duhet të shkojne në shkollat e larta sepse diplomat që merren janë të kota dhe që Qeveria nuk do t’i sigurojë punë pasi të diplomohen. Pra sipas tij shkollat e larta nuk duheshin liberalizuar, bile edhe arsimi i privat në shkollat e mesme duhet kufizuar sepse zgjerimi (thotë Z.Rama) është bërë për të ulur numrin e nxënësve në klasa e shkolla publike etj.
Këto arsyetime janë jo vetëm dashakeqe por shume naive dhe vulgare. Në radhë të parë, askush tjetër me mendje të shëndoshë nuk mund të mohojë arritjet në fushën e arsimit gjatë qeverisjes së mazhorancës aktuale. Si mund t’i thuash ndryshe, t’ia bësh të bardhën të zezë, atyre që i kanë jetuar vetë gjërat. Populli në të katër anët e Shqipërisë e di se në çgjendje të mjeruar ishte arsimi kur erdhi në pushtet PD. Kudo shkolla të shkatërruara, mësuesit të braktisur e korrupsioni në shkallën më të lart, ku diplomat e dëftesat shiteshin rrugëve. Për të siguruar një të drejtë studimi në universitet sekserët e qeverisë mbushnin xhepat me paratë e familjarëve që kërkonin shkollën e fëmijëve të tyre. Me ardhjen në pushtet të PD më 2005, çështja arsimore mori përparësi të veçantë sepse e tillë është. U përpunuan politika të reja arsimore që i hapin rrugë zhvillimit sasior e cilësor të procesit mësimor e edukativ në të gjitha nivelet.
Çështja e parë në këtë drejtim ishte lufta ndaj korrupsionit që kishte kapluar tërë hallkat e sistemit arsimor.Hapi i parë ishte liberalizimi i universiteteve. Me këtë masë iu pre koka rrjetit të mitmarrjes për pranimet në shkollat e larta. Nga kjo masë numri i studentëve u mbidyfishua. Nga 52 mijë studentë të regjistruar në vitin shkollor 2003-2004 arriti në 115 000 në vitin shkollor 2008-2009 ose pothuajse të gjithë ata që mbarojnë maturën dhe që kanë aftësi për shkollë, vazhdojnë studimet e larta. Gjëja më e rëndësishme në këtë rritje është transparenca e procesit .Për të pasur një peshore të njëjtë për njohuritë e maturantëve u fut matura shtetërore, një masë kjo tepër efikase që jep rezultate të padiskutueshme.
Rritja e numrit të nxënësve e studentëve është parë e lidhur edhe në një kompleks të tërë masash organizative që sigurojnë  një nivel të lartë të tërë procesit  mësimor edukativ. U rritën ndjeshëm investimet. Kështu nga 7.3 miliardë lekë që u harxhuan gjatë 3 vjetëve 2002-2004,  në intervalin 2006 – 2008, investimet kapin shifrën 16 miliardë lekë. Gjatë 3 viteve të fundit janë ndërtuar 161 shkolla të reja dhe janë rikonstruktuar 459 shkolla e 128 janë në ndërtim e siper. Përpjekje serioze po bëhen për modernizimin e procesit mësimor- edukativ. Janë hartuar plane, programe e tekste të reja. Përparësi ka marrë përgatitja e kualifikimi i kuadrit mësimdhënës, tërheqja e specialistëve të aftë që ishin larguar nga shkollat, ndërtimi i kabineteve, futja në shkolla e internetit, përqendrim i punës shkencore në universitete etj.
Për të forcuar më tej nivelin e mësimdhënies, paga e mësuesve është rritur me mbi 70 për qind dhe deri në fund të këtij mandati qeverisës paga do të dyfishohet. Nxënësit e studentët që kanë rezultate të shkëlqyera u akordohen të drejta suplementare qëoftë me shpërblime në lekë apo dhe duke i mundësuar që të studiojnë jashtë.
Të gjitha këto masa e shumë të tjera që janë në përpunim e sipër kanë bërë të mundur që shkolla të ndërrojë pamjet; të bëhet gjithnjë e më tërheqëse për të rinjte dhe njëherësh kanë rritë përgjegjësinë e shtetit e të shoqërisë për të ndërtuar një arsim bashkëkohor që t’i afrohet sa të jetë e mundur e më shpejt arsimit të vendeve të zhvilluara. Natyrisht me këto arritje kurkush nuk të mendoje se arsimi tashmë ska probleme e puna ecën si në vaj, por ama është e pafalshme që kryetari i PS-së dhe ithtarët e tij të bien kaq poshtë që po përpiqen të manipulojnë mendjet e njerëzve për ta bërë të bardhën të zezë thejsht për të përfituar politikisht. Po të kishte sadopak ndershmëri si politikan Z. Rama do të mbante qendrim tjetër sepse do të fitonte më shumë pike, por unë mendoj se arsyet përse Ai vepron kështu nuk janë thejsht morale. Ato kanw të bëjnë me faktin se Zoti Rama dhe grupi i tij kërkojnë të krijojnë alibinë se ata janë jo vetëm të zotët për të bërë gjera të mëdha, por edhje të ndershëm. Por gabohen rëndë sepse i dinë gjërat dhe smund të manipulohen lehtë. Akuzat që i janë bërë Zotit Rama për korrupsion qoftë ngfa mazhoranca apo një pjesë e opozitës nuk mund të kapërcehen lehtë. Me siguri që një ditë jo vetëm do të përgjigjet për korrupsionin në administratën që ai drejton në Bashkinë e Tiranës, por do të përgjigjet edhe individualisht. Qëllimi që Ai i ka vënë vetes për tu mbrojtur e për t’u ngjitur në karrierë, duke shkelmuar të tjerët është fatkeqësia e tij por, që gjithsesi do të pengojë në ecjen e shpejtë të Shqipërisë në rrugën e progresit drejtë BE-së, prandaj shqiptarët që e mbështesin sot nuk duhet të humbasin kohë për t’u bindur se çfarë është e mirë për ta, kush u thotë të vërtetën dhe kush i mashtron. Ata duhet të kuptojnë se politika e “re” që propagandon Z. Rama nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim i ri për të fituar votat siç ka ndodhur kur Ai u zgjodh kryetar i Bashkisë me korrespodencë i Tiranës.

Autori është drejtor i Shkollës Shqipe “Vatra”, Bruksel

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›