E Shtunë, 31 Tetor 2026

Specialisti i municioneve: Shpërthimet, pasojë e punëtorëve të pakualifikuar

/>Faik Braho tregon se në uzinë punësohen njerëz me miqësi dhe devotshmëri politike  

Ai është një punëtor i vjetër, që ka punuar në uzinën e armëve dhe të municioneve për 35 vjet dhe e njeh mirë procesin e punës në këtë uzinë. Faik Braho, specialist në prodhimin e fishekëve dhe i specializuar për prodhimin e djegoreve, ka pohuar për gazetën se shpërthimi në uzinë dy ditë më parë, ka ndodhur për shkak të mungesës së kualifikimit të punëtorëve si dhe të moskorrektesës së kushteve të sigurisë teknike nga ana e tyre.
Faji i shpërthimit
Fajin për shpërthimin e kanë vetë punëtorët, megjithëse jo për faj të tyre, ata nuk janë të kualifikuar për të kryer të tilla procese edhe pse kanë mbi 20 vjet punë në këtë uzinë. Unë kam punuar specialist në prodhimin e fishekëve dhe jam specializuar për çmontimin e djegoreve. Në kohën kur ne kemi qenë në punë, nuk lejohej djegia e mbeturinave, tregon Braho, sipas të cilit mbeturinat e mbledhura nga repartet e punës në uzinë mblidheshin me një skuadër të specializuar dhe ajo skuadër kryente procesin e asgjësimit të tyre. Ndaj them se shpërthimi ka ardhur si pasojë e punonjësve të pakualifikuar që punojnë në procese punë të tilla. Po kështu, mendoj se shpërthimi ka ardhur edhe si pasojë e neglizhencës së sigurimit teknik. Në këto reparte  duhet një korrektesë e madhe gjatë punës në zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, pasi çdo gabim mundet të shkaktojë tragjedi duke humbur jetë njerëzish si dhe ishte rasti i këtyre ditëve, shton specialisti i prodhimit të fishekëve, njëkohësisht i specializuar dhe për prodhimin e djegoreve.
Punëtorët e pakualifikuar
Faik Braho është i mendimit se një rol të rëndësishëm në zbatimin e rregullave të sigurisë teknike luajnë dhe drejtuesit e uzinës, të cilët sipas tij, nuk duhet të vijnë nga fusha të tjera pune, por edhe punëtorët të cilët gjithashtu nuk e njohin procesin e punës, që në vetvete mbart një rrezik potencial jo vetëm për punonjësit e uzinës, por edhe për të gjithë zonën. Prandaj vitet e fundit në uzinë janë shkelur dhe po shkelen rregullat e sigurimit teknik, pasi në drejtimin e kësaj uzine me drejtim strategjik vendosen drejtues të fushave të tjera, që nuk njohin sigurinë teknike të këtyre proceseve pune. E njëjta gjë më pas ndodh edhe me punësimin e punëtorëve në uzinë, të cilit futen aty ose me miqësi ose me bindje politike, por që atyre u kushton jetën. Ne si punonjës të vjetër dhe specialistë e dimë mirë se çdo do të thotë sigurim teknik në repartet e demontimit të municioneve, shpjegon Braho, i cili ndër të tjera përmend rastin kur dy vite më parë në uzinë u punësuan me miqësi kamerierë, të cilit nuk e kishin idenë se çfarë rreziku kanosej aty nga persona të panjohur me të. Braho tregon se atëherë punëtorët e kualifikuar u habitën, por njëkohësisht u rekomanduan atyre personave që të largoheshin pasi nuk ishte punë e përshtatshme për ta në atë ambient të panjohur por dhe të rrezikshëm. Një nga specialistët i tha kamerierit që të merrte disa fishekë dhe tja sillte në tavolinën e punës, në poligon. Kur kamerieri pyeti specialistin se si duhet ti merrte, ky i fundit i rekomandoi me shaka që të mbushte xhepat. Kamerieri veproi pikë për pikë ndërkohë që me ta parë, të gjithë punëtorët e tjerë qeshën me të madhe nga veprimi naiv i kamerierit, i cili edhe pse nuk kishte faj, që të nesërmen nuk u paraqit më në punë, tregon Braho me të qeshur, por seriozisht rekomandon që të tilla veprime të ndalohen menjëherë. Punësimi i të tillë personave të panjohur me procesin e punës në uzinë si dhe rrezikshmërinë që shfaqet aty herë pas here, ka bërë që në këto 5 vitet e fundit të jenë shënuar 5 incidente me pasoja të ndryshme.

*****************************************************
Ja demontimet dhe incidentet në uzinë, 2 vite më parë  
Në uzinën e armëve në Poliçan, dy vjet më parë janë demontuar mbi 2000 predha të kalibrave 187 mm predha tankësh, topash 75 mm si dhe miliona fishekë dhe granata të tipeve të ndryshme. Në këto reparte kanë punuar më shumë se 60 punëtorë. Ndërsa në 5 vjetët e fundit në ish- uzinën e armëve ka pasur 5 raste shpërthimi të djegoreve, por që fatmirësisht kanë përfunduar pa viktima. Ndërsa gjatë shpërthimit të djeshëm ka mbetur e vdekur një punëtore si dhe është plagosur një koleg i saj.         

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›