Kreu manovra të rrezikshme me gomone, gjobitet drejtuesi i mjetit lundrues në Vlorë

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Policia e Vlorës, gjobiti me 50 mijë lekë dhe bllokim të lejes së drejtimit dhe mjetit lundrues, drejtuesin e një gomoneje në Vlorë, i cili po kryente manovra të rrezikshme me shpejtësi të lartë në det, ndërkohë që ishte në gjendje të dehur.
Policia njoftoi sot se, gjatë kontrolleve në zonën afër ankorimit të mjeteve lundruese në Triport, Vlorë, kanë konstatuar një mjet lundrues gomone që lëvizte me shpejtësi të madhe dhe kryente manovra të rrezikshme, duke rrezikuar sigurinë e mjeteve të tjera lundruese dhe të pushuesve që ndodheshin në zonë.
Shërbimet e Policisë ndërhynë dhe ndaluan gomonen me drejtues shtetasin A. G. Pasi iu bë testi i alkoolit, ai rezultoi në gjendje të dehur.
Në përfundim të veprimeve procedurale, drejtuesit të mjetit lundrues iu vu masa administrative gjobë 50 000 lekë të rinj dhe iu bllokua leja e drejtimit për 2 muaj. Gjithashtu, u bllokua mjeti lundrues gomone.
Policia Kufitare apelon për respektimin me rigorozitet të rregullave të lundrimit dhe shmangien e çdo sjelljeje që rrezikon sigurinë e jetës dhe të mjeteve lundruese në det.
/m.q/a.f/