Kreut të Lazios i ndalohet hyrja në stadium për dy muaj

Presidenti i skuadrës italiane Lazio, Claudio Lotito, është pezulluar që për dy muaj të mos hyjë në stadiumin e klubit të tij "Olyimpico" në Romë si dhe është gjobitur me 50 mijë euro, pas fyerjeve që i ka bërë presidentit dhe drejtorëve të Komitetit Olimpik të Italisë (CONI), shkruajnë mediat italiane.
Lotito në qershor kishte akuzuar presidentin e CONI-t, Gianni Petrucci dhe drejtorët e komitetit olimpik për korrupsion. Kjo, pasi Lazios i është dashur të paguajë dy milionë euro për të marrë me qira stadiumin "Olimpico". Lotito është shprehur haptazi dhe kjo i ka kushtuar. Këtë vendim e ka marrë Komisioni Disiplinor Sportiv Nacional.
Lotito është figurë e urryer edhe e tifozëve "ultras" të Lazios.
Në Lazio së fundi është transferuar mesfushori kosovar Lorik Cana, ndërkohë që drejtor sportiv i kësaj skuadre është ish- futbollisti i kombëtares shqiptare Igli Tare.