E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijohen 3 shoqëri të bashkëpunimit bujqësor në Shijak, përfitojnë 84 fermerë

TIRANË, 29 maj/ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi sot në Shijak krijimin e tre shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB), si pjesë e nismave për forcimin e bashkëpunimit mes fermerëve dhe rritjen e mbështetjes për sektorin rural.

Salla bëri të ditur se në këto struktura janë përfshirë gjithsej 84 fermerë, të angazhuar në sektorë të ndryshëm të bujqësisë dhe blegtorisë.

Sipas ministrit, 15 fermerë janë organizuar në një shoqëri që merret me kultivimin, përpunimin dhe prodhimin e vajit të ullirit, ndërsa 16 fermerë janë përfshirë në sektorin e blegtorisë dhe prodhimeve blegtorale.

Një tjetër Shoqëri e Bashkëpunimit Bujqësor përfshin 53 fermerë që merren me kultivimin e perimeve, agrumeve, drithërave dhe vreshtave.

Ministri theksoi se përmes këtij modeli fermerët do të kenë më shumë mundësi bashkëpunimi, akses më të gjerë në mbështetje financiare dhe përfitim të plotë nga masat e Skemës Kombëtare 2026.

Salla e konsideroi krijimin e SHBB-ve si një hap të rëndësishëm drejt organizimit më efikas të prodhuesve bujqësorë, rritjes së konkurrueshmërisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit.

Në prezantimin e kësaj nisme ishte i pranishëm edhe kryetari i bashkisë, Shijak, Elton Arbana. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›