E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Krijohet Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, Manastirliu: Garancia për shërbim cilësor

Krijohet Agjencia e re e Sigurimit të Cilësisë dhe Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, një institucion që ka mekanizmat për të monitoruar dhe akredituar strukturat e ofrimit të shërbimit shëndetësor dhe shoqëror, publike dhe jopublike, si dhe për certifikimin e edukimit në vazhdim të profesionistëve shëndetësorë dhe shoqërorë.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se Agjencia është garancia që në çdo strukturë të ofrimit të shërbimit shëndetësor, të ketë kushte të ofrimit të shërbimit dhe profesionistë të aftë.

“Nëse nuk përfshihemi në këtë proces dhe nuk dalim garant për veten dhe për strukturat tona që drejtojmë, që plotësojnë standardet bazë dhe më tej ato optimale, gjithmonë do të jemi në një pikëpyetje të asaj që ne ofrojmë dhe të publikut apo qytetarit që merr shërbime, i cili ka gjithë të drejtën të reklamojë negativisht shërbimin jo me cilësi që ka marrë. Qytetarët duhet të vetëdijësohen që kur shkojnë të marrin një shërbim shëndetësor në një klinikë publike apo private duhet të jenë të vetëdijshëm, a është kjo klinikë, kjo qendër shëndetësore, ky spital i akredituar? A i plotëson standardet bazë?”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se nuk do të tolerohet asnjë strukturë shëndetësore dhe shoqërore t’i shmanget procesit të akreditimit.

“Nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, vetëm në katër muajt e parë të këtij viti janë kryer më shumë se 200 inspektime të institucioneve të kujdesit shëndetësor, klinika, spitale, qendra shëndetësore, publike dhe jo publike, që kanë kaluar proçesin e vetëvlerësimit. Ndërkohë që 93 prej tyre janë në proces akreditimi. Por ftesa për t’u futur në procesin e akreditimit i është drejtuar më shumë se 600 operatorëve. Kjo flet qartë që interesi i strukturave shëndetësore është ende jo në nivelin e duhur për të kryer një proces kaq të rëndësishëm si ai i akreditimit. Por a do të qëndrojmë ne në pritje? Jo! Ne nuk do të tolerojmë asnjë strukturë publike apo jo publike, qoftë ajo t’i shmanget një procesi kaq të rëndësishëm sa procesi i vetëvlerësimit dhe i akreditimit të institucionit. Kjo nuk është një betejë mes publikut, mes privatit, mes biznesit, mes operatorëve. Kjo është një betejë për cilësinë”, tha Manastirliu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›