E Diel, 1 Nëntor 2026

Konjufca: S’kishin qëllim ta lëndonin rektorin

Nga Express më 20 shkurt 2011 në ora 18:32

Pas reagimeve të shumta dhe përkeqësimit të shëndetit të rektorit Mujë Rugova, drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje thonë se aktivistët e saj me gjuajtjen e ngjyrës nuk kanë pasur për qëllim që të lëndojnë rektorin, por vetëm të reagojnë ndaj tentimit të rritjes së çmimit të semestrit dhe zvogëlimit të numrit të bursave.

Pas kontrolleve mjekësore dhe përkeqësimit të gjendjes, rektorit të Universitetit të Prishtinës (UP), Mujë Rugova i cili u gjuajt me ngjyrë para rreth një jave i është rekomanduar një mjekim më i specializuar, prandaj ai do të dërgohet në shtetin gjerman për t’iu nënshtruar analizave me të thella dhe një tretmani mjekësor.

Njëri nga drejtuesit e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca vlerësoi se aksioni i Qendrës Studim, Kritikë dhe Veprim ka ardhur si pasojë e gjendjes së rëndë të studentëve në Universitetin e Prishtinës.

Ai tha se aktivistët Rron Gjinovci dhe Durim Jasharaj me gjuajtjen e ngjyrës nuk kanë pasur për qëllim që të lëndojnë rektorin, por vetëm të reagojnë ndaj tentimit të rritjes së çmimit të semestrit dhe zvogëlimit të numrit të bursave.

“Ne i kuptojmë problemet shëndetësore, kemi mirëkuptim ndaj kësaj dhe na vjen keq nëse kjo ka eskalu deri tek problemet shëndetësore. Mund të them që ky nuk ka qenë qëllimi i studentëve, nuk besoj të ketë qenë, por mund t’i pyesni edhe ata dhe nuk besoj që ka qenë shënjestër shëndeti i rektorit që të dëmtohet në ndonjë mënyrë”, ka thënë ai.

Gjatë ditës i pari i UP-së, Mujë Rugova ka thënë për media se pas këtyre pasojave të paraqitura në shëndet dhe informimit se në ngjyrë ka substanca të rrezikshme për jetë, do të bëjë padi private në gjykatë si dhe padi institucionale për shkak, siç thotë ai “sulmit ndaj UP-së si institucion”.

Mirëpo, Konjufca thotë se nëse bëhet fjalë për padi, atëherë studentët kanë më shumë arsye për të paditur udhëheqjen e UP-së për shumë padrejtësi që ndodhin.

“Mendoj që e drejta është në anën e studentëve në këtë rast dhe mendoj që studentët t’u them të drejtën kanë shumë më shumë fakte konkrete për ta paditur Universitetin e Prishtinës se sa që ka fakte UP-ja apo udhëheqja politike e universitetit për ta paditur mllefin e arsyeshëm të studentëve të Universitetit të Prishtinës”, ka thënë ai.

Sidoqoftë sulmin ndaj rektorit e kanë dënuar të gjitha organizatat tjera studentore e organet drejtuese të UP-së dhe Ministria e Arsimit. Ndaj studentëve që sulmuan rektorin mund të merren edhe masat e përjashtimit nga universiteti. (Kosovapress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›