Vetëvendosje: Krasniqi e shkeli Kushtetutën

“Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, më 18 shkurt 2011 ka lëshuar një vendim me numër 322 përmes së cilit e nominon Hashim Thaçin si mandatar për formimin e Qeverisë së re”, thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sipas kësaj komunikate, ky vendim është bazuar në nenin 84 të Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës, pika 14, që thotë se Presidenti i Republikës së Kosovës e “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”.
“Pikërisht kjo pikë e këtij neni e bën vendimin e lartëpërmendur kundërkushtetues. Jakup Krasniqi e ka shkelur Kushtetutën atëherë kur e ka nominuar Hashim Thaçin si mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.
“Në momentin kur u lëshua ky vendim nuk ekzistonin ende marrëveshjet për koalicion midis PDK-së dhe AKR-së, PDK-së e SLS-së dhe PDK-së e Grupit për Integrim. Këto marrëveshje u bënë të nesërmen, më 19 shkurt 2011. Duke qenë se PDK-ja nuk është parti që përbën shumicën e Kuvendit dhe duke qenë se me datën 18 shkurt 2011 nuk ekzistonte as koalicioni që përbën shumicën e Kuvendit, Jakup Krasniqi nuk ka pasur të drejtë që ta nominojë Hashim Thaçin. Me këtë vendim Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.
Vetëvendosje thotë se Jakup Krasniqi u pat bërë Ushtrues Detyre i Presidentit pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut më 27 shtator 2010. Ai menjëherë pat kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese nëse mund ta mbante edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së.
“Në Aktgjykimin e datës 22 dhjetor 2010, Rasti Nr. KO 97/10, Gjykata Kushtetuese, duke iu referuar nenit 88, Pika 2, të Kushtetutës, pat thënë që Jakup Krasniqi, duke e mbajtur edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së nuk e shkel Kushtetutën meqenëse nuk është President i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas Vetëvendosjes, “në pikën 25 të këtij Aktgjykimi thuhet se “Ushtruesi i Detyrës së Presidentit nuk është President i zgjedhur dhe herë pas here mund të ngrihen pyetje lidhur me kompetencat e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit. Asnjë çështje e tillë nuk është ngritur në këtë kërkesë. Pra, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit mund të bëjë kërkesë te Gjykata Kushtetuese për ushtrimin e kompetencave të tij, madje tërthorazi inkurajohet për një gjë të tillë, mirëpo ai nuk e bëri këtë lidhur me nominimin e Hashim Thaçit”.
“Nga e gjithë kjo logjikisht rrjedh se Ushtruesi i Detyrës nuk mund të jetë President me kompetenca të plota. Ushtruesi i Detyrës së Presidentit nuk përfaqëson unitetin e popullit – ai njëkohësisht mban edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë. Prandaj, është kontestuese kompetenca e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit për nominimin e mandatarit për formimin e Qeverisë përderisa nuk jepet interpretim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”.
Në fund të komunikatës, Vetëvendosje thotë se këta “politikanë që na e sollën një kushtetutë për të cilën s’pati as debat parlamentar e as referendum gjithëpopullor, një kushtetutë që na e shpërfill historinë dhe luftën çlirimtare, një kushtetutë që hedh farën e bosnjëzimit të Kosovës dhe betonon sundimin ndërkombëtar mbi Kosovën, po këta politikanë tash e shkelin edhe vetë këtë kushtetutë të tyre sa herë që kjo gjë iu leverdis politikisht. Ata i drejtohen Gjykatës Kushtetuese jo për hir të korrektësisë ndaj kushtetutës, por si mjet për qëllime të ngushta politike”.