E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimet ne vend PS akuza policise per moskryerje te detyres

Partia Socialiste u shpreh e shqetësuar lidhur me aktet kriminale të ndodhura ditëve të fundit në vend. Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri duke folur nga këndi i zyrës së Kryeministrit të zgjedhur kërkoi nga Policia e Shtetit të bëjë detyrën e saj.

“Megjithëse ka një Kryeministër e një Qeveri në detyrë, shteti është lënë si mall pa zot, qytetarët janë braktisur në mëshirë të fatit ndërsa Policia është kthyer në agjenci mortore që numëron viktimat. I bëjmë sot thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit: Ngrihuni në këmbë e bëni detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë!”, deklaroi Tahiri. 
Sipas tij, pas shtatorit do të fillojë një kapitull i ri për policinë.
“Pas shtatorit, do fillojë një kapitull i ri, edhe për Policinë e Shtetit. Por deri atëherë, mos braktisni ushtrimin e detyrës duke lënë qytetarët në mëshirë të krimit. 
Jepini qytetarëve shqiptar atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit”, u shpreh Tahiri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›