Krimi i Gushos te “NBG” Bank, Policia e kthen në vendin e krimit
Uniformat blu të Tiranës kanë rikthyer firmëtarin e rreth 16 grabitjeve në vendin e krimit, pikërisht aty ku mori jetën e fundit. Dy fugona të policisë kanë shoqëruar të ndaluarin Viktor Gusho, pikërisht në mesditë kohë kjo që përkon dhe me orarin e tentimit për grabitje tre ditë më parë në “NBG” Bank në sheshin "Shtraus", tek zona e njohur me emrin `Xhamlliku`, ne Tirane. Mësohet se ky hap i policisë është ndërmarrë për të rindërtuar të gjithë skenën e ngjarjes së asaj dite, ku i mori jetën arkëtares Leonora Kaloçi 45 vjeç dhe plagosi rojen e filialit të bankës, Skënder Elmazi, 50 vjeç. Po kështu burime nga policia bëjnë me dije se Gusho ka shpjeguar të gjitha detajet dhe lëvizjet e tij gjatë asaj dite.
Viktor Gusho, 44-vjeçari nga Patosi mund të konsiderohet pa frikë një supermen i grabitjeve në Tiranë. Në 4 vjet ai ka realizuar 16 të tilla duke vrarë dy persona e plagosur disa të tjerë. Një histori hollivudiane për një vetmitar si Gusho i cili në të gjithë rastet ka vepruar i vetëm.
Gusho ka pranuar autorësinë e të gjitha krimeve për të cilat akuzohet dhe sipas Gusho ka vepruar gjithmonë i vetëm dhe ky fakt e ka ndihmuar në jetëgjatësinë krimeve të tij.
Nga 16 ngjarjet për të cilat akuzohet, 4 janë grabitje apo tentativa grabitjesh në filiale të Raiffaisen Bank. Ai gjithashtu ka sulmuar disa pika të grumbullimit të lekëve të faturave të dritave dhe ujit, një filial të Postës te Medreseja në Tiranë në vitin 2010 ku pati dhe një të plagosur dhe është autori i vrasjes së argjendarit Sinanaj disa muaj më parë.
Ai u kap në flagrancë në shtëpinë e tij falë një operacioni të koduar “Banka”, ku iu gjet edhe arma me të cilën i mori jetën arkëtares së NBG Bank dhe argjendarit Sinanaj: një pistoletë TT, si dhe një krehër me 7 fisheke, kaliber 7.62 mm, maska, doreza, veshja që ka përdorur në ngarjen e fundit.
Mësohet se Gusho ishte frekuentues i rregullt i kazinove dhe lojrave të fatit. Kur mbeste pa lekë, ai përgatiste sulmin e rradhës pasi e studionte për 2-3 muaj atë.
Zbulimi i tij erdhi pas pamjeve të publikuara në "Ora News" që reflektuan interes tek qytetarët duke sjellë telefonuesen që meritoi 10 mijë eurot duke dhënë infromacionin e saktë.