Krimi, ku po shkojmë?
Asllan Dogjani
Dy vajza të reja u vranë mbrëmë në mes të Tiranës në një orar kur fluksi i lëvizjes së qytetareve është i madh. Eleni u vra në derë të shtëpisë duke lënë dy fëmijë jetimë, ndërsa Megi në të njëjtën kohë kur po festonte ditëlindjen me të fejuarin. Të dyja sapo e kishin nisur jetën, të dyja u vranë nga duar kriminale, nga ato që më së shumti kohët e fundit largohen në drejtim të paditur, ose përfundimisht të paditur.
Atentati dhe vrasja e drejtpërdrejtë e një femre është një fenomen shumë i rrallë në Shqipëri. Të tilla ngjarje mund të gjenden mbase vetëm në vitin pa shtet, 1997.
Përsenë e këtyre ngjarjeve të pazakonta mund ta kuptosh vetëm po të shohësh me mendje të ftohtë një varg episodesh të pjesës se si kemi mbërritur deri këtu.
Duhet pohuar se vrasjet e dy femrave kanë mbërritur pas një numër të konsiderueshëm ngjarjesh të përditshme kriminale, vrasje progresive në numër dhe cilësi, ku përfshihen vrasje shtetërore të qytetarëve, si më 21 janar 2011, vrasje kriminale politikanësh, gjyqtarësh, oficerësh policie e ushtrie, grabitje bankash e të tjera, pothuaj që të gjitha, si në rrallë periudha kohore të pas 1990, të mbetura të pazbuluara.
Pikërisht pas një situate të tillë lajmi për vrasjen e dy femrave në moshë të re duket si një vazhdim logjik.
Nga ana tjetër vrasjet në mes të ditës të kryera më armë të rënda automatike, veç të vrarëve dhe të plagosurve mes kalimtarëve, janë shkaktuese të panikut e të pasigurisë mes qytetarëve, që është një tjetër dëm edhe më i madh.
Mos ka ardhur dita që sot të kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos hamë ndonjë plumb qorr? Sepse shembulli i freskët i ngjarjes së pardjeshme, kur një femër gjeti vdekjen nga plumbat e krimit këtë thotë.
Po pardje, në Vlorë, u tentua të grabitej pronari i një dyqani argjendarie, një ditë më parë u grabit një bankë në mes të Tiranes, u krye një plagosje tek Rruga e Elbasanit, tani që po shkruaj, mësoj për një tjetër të vrarë, dy të plagosur si dhe një grabitje me armë në një pikë bastesh, ndërkohë që nuk po rendis ngjarje që ndodhin nëse futesh nëpër lagje të errëta të Tiranës, ku të grisin xhepat dhe të ngulin thikën në bark, po nuk pate para me vete. Ku po shkojme kështu?
Unë personalisht kam punuar një jetë të tërë në radhët e policisë. Kam punuar në kohë edhe më të vështira, dhe fatmirësisht kam pasur një karrierë që më mundëson analiza.
Duke gjykuar nga kjo pozitë personale, unë mendoj se situata e rendit që po paraqitet këto kohë të fundit është e pakontrolluar dhe e frikshme. Edhe kriza ekonomike, që ka pjesën e vet, edhe problemet e mëdha sociale që kemi, nuk më dalin se janë shkaku i vërtetë i kësaj situate. Sipas meje këmi mbërritur në këtë situatë vetëm sepse krimi këto vite të fundit nuk është ndëshkuar.
Sepse keqbërësi apo krimineli motivohet të kryejë krime vetëm atëherë kur e kupton se nuk goditet, kur kupton se askush nuk e ndjek nga pas, kur kupton se i ka të gjitha mundësitë të mos ndëshkohet as në gjykatë. Por motivimi më i madh i vjen kur përditë e më tepër ai konstaton se persoanzheve të ndryshëm, në majë të kastës politike në pushtet, nuk u futet gjemb në këmbë edhe nëse vrasin, edhe nëse vjedhin edhe nëse bëjnë korrupsion. Kur shikon se shteti nuk e ka mendjen të punojë e të bëjë shtet, por e ka mendjen vetëm të vjedhë, kur shohin se sistemi gjyqësor i ndërtuar këto 7 vite të fundit ka lënë të lirë të gjithë zyrtarët e lartë me akuzua që nga korrupsioni deri tek vrasjet, atëherë krimi merr krahë.
Mua të paktën kujtesa më thotë se kur, për shembull, është arrestuar një kriminel vip, kur mediat kanë bombarduar opinionin më këtë lajm, ka pasur një rënie të ndjeshme të kriminlittetit në gjithë vendin, sidomos atij të organizuar.
Dhe sërish koha po provon se krimi motivohet në rrugën e vet kur sheh se shteti nuk vepron, aq më keq motivimi nuk gjen pengesa kur sheh se shteti vret qytetarët e vet në mes të ditës dhe po në mes të ditës mbron vrasësist, kur sheh se gjykatat i shkojnë pas me vendime llahtarisht të lexueshme si të padrejta, kur sheh se ky shtet e ka më shumë mendjen të mbyllë krimet e veta se të punojë për të siguruar rendin dhe qetësinë për popullin. Pikërisht në këtë lloj kohe vjen krejt natyrshëm edhe një ditë si e pardjeshmja me dy femra të vrara me atentate.
Ndërsa mesazhi më i fortë që krimi merr prej politikës është ai që vjen kur vriten politikanë, si Fatmir Xhindi, pushtetarë, si kryetari i komunës Tërthore, Remzi Veseli, apo njerëz të drejtësisë, si gjyqtari Skerdilajd Konomi. Pra, para mendjes së një krimineli llogaria ngrihet dhe logjika e tyre në këtë rast thotë: Këta po vrasin deputetë dhe po ja hedhin paq, kurse ne që e drejtojmë shënjestrën më ulët, sigurisht që do e gjejmë mundësinë për tja hedhur.
Por vrasjet vijnë edhe nga korrupsioni galopant dhe krejt i pakontrolluar i administratës shtetërore. Sepse të gjithë ata qytetarë që nuk gjejnë zgjidhje me ndihmën e ligjeve të shtetit, kur u plaset dera në fytyrë, kur edhe në gjykatë nuk gjejnë mundësi kompesimi për të drejtën e tyre, qoftë për hallet e pronave apo probleme të tjera, ata janë të detyruar të shkojnë shumë shpejt tek vetëgjyqësia. Te vrasja.
Një tjetër faktor që po shkatërron situatën e rendit në Shqipëri sipas meje është edhe fshehja e kriminalitetit real përmes manipulimit të shifrave. Pra situata e rendit jepet apo paraqitet si e shkëlqyer dhe për këtë shkak Ministria e Brendshme dhe Policia nuk bëhen objekt debati dhe atakimi nga faktorë të tjerë, qofshin shqiptarë apo të huaj, qofshin politikë apo nga shoqëria civile.
Fakti i manipulimit të të dhënave, apo sasisë dhe cilësisë së ngjarjeve kriminale tashmë është kthyer në një taktikë të kualifikuar. Ka vite që Policia si dhe Ministra e Brendshme e kanë gjetur një zgjidhje të përhershme për të dalë nga situata, sipas një formule tashmë të njohur e cila nis e jepet për tu emetuar në mediat e kontrolluara nga Qeveria në formën: U vra se ishte i implikuar në tregtinë e narkotikëve apo u vra se kishte precedentë penalë. Me kaq policia, që mendon se i ka mbushur mendjen opinionit se ai ditëziu që iku e kishte hak të ikte, e quan veten të larë!!!
Largqoftë të dëgjojmë këto ditë që policia të na i paraqisë dy femrat e vrara dy ditë më parë si vrasëse seriale, të cilat e kishin hak plumbin!