Është Berisha që ngjit yllin Basha, jo Basha që ul yllin Berisha
***
Migena Aleksi
Ambasadori Arvizu e quajti Lulzim Bashën një yll në ngjitje. Thuajse njëkohësisht, vetë Basha – ish-ministri i Brendshëm i 21 janarit – nga studio e Zërit të Amerikës, foli për 4 të pafajshmit e 21 janarit, (!) – një mesazh model për idiotikën çmë duhet mua, çfarë kam bërë unë.
M. Nano në blogun e tij habitet me atë që ai e quan shpërthim të Bashës dhe shkruan se Basha po aludon se me Berishën nuk kam të bëj, ose Berisha në punë të vet, unë në timen.
Kolegu i tij në blog, E. Zaloshnja shkon edhe më tej, i kumton publikut se amerikanët e dhanë mesazhin, Berisha ik liroji rrugën Bashës.
M. Baze, pena më e fortë e opozitës, flet për Bashën lajmës, d.m.th., amerikanët kanë vendosur ti japin mesazhe pakënaqësie Berishës, nëpërmjet Bashës, – thotë Baze.
Nano e Zaloshnja, tregohen naivë ndoshta edhe për hir të natyrës fast të blogut ku shkruajnë. Kërkoj ndjesë nëse i kam keqkuptuar, por padashur amplifikojnë pikërisht idenë e rreme që Berisha, Basha dhe lobuesit e tyre dëshirojnë të amplifikojnë. Kurse kolegu i nderuar Baze, e kripton disi më tepër nga çështë e nevojshme situatën. SHBA-të nuk kanë nevojë të përdorin Bashën për ti dhënë mesazhe kaq të fshehura Berishës. Thjesht nuk është e nevojshme. Ka mënyra të tjera shumë më komode për ti dhënë këto mesazhe nëse dëshirojnë ti japin.
Nuk është Basha ai që po ia ul Berishës yllin. Nuk ka si të jetë edhe i tillë edhe ish-ministër i 21 janarit, i Durrës-Kukës, i Paktit Detar etj., njëkohësisht. As nuk është i përzgjedhuri për ti ulur ndonjë gjë Berishës, sepse në fakt është i përzgjedhuri i vetë Berishës. Është Berisha që e ka kërkuar fazën e re të ngjitjes së yllit Basha. Edhe intervista me fytyrë të ngrirë geishe në VOA, që i bën përshtypje Mustafait, është e miratuar fjalë më fjalë nga Berisha. Veçse Berisha, ka shumë arsye që lançimin e nivelit të ri të ngjitjes së yllit të mos e bëj vetë. Arsyet mund të lidhen me nevojën që publiku të besoj ndëshkimin e tij politik, mund të lidhen me kreditet e tij të shkatërruara publike dhe/ose me situatën në PD; mund të lidhen me të gjitha këto bashkë, po çrëndësi ka fundja. Se ku do të arrijë neveria e hipokrizisë kësaj here, le ta shohim, por hiqeni nga mendja se Berisha nuk është shkrimtar dhe bashkëshkrimtar i novelës me yje, përfshirë kapitullin ku lançimin e nivelit të ardhshëm të yllit e kanë marrë përsipër të tjerë.
E qartë është që si me të vjetrin Berishë të ri, si me të riun Bashë të vjetër, planet janë që mazhoranca e sotme tia marrë edhe 2013-n opozitës së mekur e të kompleksuar që vazhdon të mos dojë e të mos dijë të kuptojë që kush kërkon pak, nuk merr asgjë. Perndryshe nderkombetaret nuk kishin pse ndihmonin nje rotacion brenda PD-se, nese do preferonin nje rotacion PD-PS.