E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bardhoshët, familja e varfër nga Kukësi në Valias


Familja Bardhoshi jeton në fshatin Valias në periferi të Tiranës e ardhur aty para disa vitesh nga Hasi. Familja e viktimës jeton në një shtëpi një katëshe afër qendrës së Valiasit, një zonë rreth shtatë kilometra larg kryeqytetit. E ardhur nga qyteti verior para disa vitesh, ishte vendosur në këtë zonë, duke nisur ndërtimin e shtëpisë që akoma nuk e kishin përfunduar. Për të shkuar në fshatin ku banon familja e 32- vjeçarit që mbeti i vdekur rreth orës 00. 30 minuta të së shtunës, duhet të kalosh në një rrugë të ngushtë jo të asfaltuar, në pjesën perëndimore të Tiranës. Trupi i pajetë i Ahmet Bardhoshit mbërriti dje rreth orës 14.00 në Valias, pas ekspertizës mjeko-ligjore që ishte kryer në morg, ndërsa ceremonia mortore në nderim të tij do të kryhet sot në orën 15. 00. Babai i viktimës, Qazim Bardhoshi, në një intervistë për "Shekullin" thotë se dyshon që vrasjen e ka kryer policia dhe për këtë insiston që ngjarja duhet të zbardhet sa më shpejt. I moshuari tregon se djali i tij po priste të fejohej dhe nuk ka dyshime se mund të jetë vrarë nga persona të tjerë për shkak se nuk ka pasur konflikte me ndonjë familje. Edhe vëllai i vogël i 32- vjeçarit, Blerimi, shprehet se ngjarja duhet të zbardhet sa më shpejt dhe të mos zvarritet nga organet që janë përgjegjëse për hetimin e ngjarjes. Babai i viktimës tregon se është i shqetësuar për mënyrën e hetimit dhe kohën që duhet të informohen për rezultatet e ekspertizës mjeko- ligjore. Afati prej një muaj që iu është komunikuar familjarëve për nxjerrjen e rezultatit përfundimtar i ka revoltuar këta të fundit, duke kërkuar që të ketë një përfundim më të shpejtë për rrethanat dhe mënyrën e vrasjes së të afërmit të tyre. Të afërmit nuk kanë pasur dijeni për vendndodhjen e viktimës në momentet kur ka ndodhur vrasja, ndërsa personi që mbeti i vrarë, para se të largohej iu kishte thënë familjarëve të tij se po shkonte në Kamëz për disa punë të tij. Të afërm të viktimës kanë mbetur të tronditur nga mënyra e vrasjes së të afërmit të tyre dhe kërkojnë që zbardhja e plotë e ngjarjes të mos zvarritet. Sipas familjarëve, nëse policia kishte ndërmend ta arrestonte, të kryente këtë veprim dhe jo të përdorte armët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›