E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriminaliteti, pasqyrë e rrënimit të shtetit të Berishës

Ahmet Bala*

-Sot procesi i reformimit të Policisë së Shtetit dhe i ndryshimeve që e kanë shoqëruar atë  ndër vite është një realitet i dukshëm dhe i pranueshëm nga të gjithë. Por nga ana tjetër rritja e kriminalitetit në vendin tonë  kohët e fundit përbën një rrezik të  madh për shoqërinë, pasi ai prek vlerat më të mira të njeriut, jetën, shëndetin, lirinë, pasurinë etj. Fatkeqësisht fuqizimi i  krimit po cënon mjaft rëndë edhe  liritë dhe të drejtat themelore të  njeriut. Një nga shkaqet kryesore të rritjes së kriminalitetit në vendin tonë pa asnjë dyshim është e puna e dobët e strukturave të Policisë  së Shtetit në drejtim të njohjes së situatës kriminale në terren (në zonë) pasi me strukturën ekzistuese të Policisë së shtetit kjo hallkë është e dobësuar dhe ka nevojë urgjente për ndryshime. Si specialist i kësaj fushe gjykoj se duhet të kuptohet e konceptohet drejt shërbimi i  Policisë së Shtetit si shërbim Publik, i cili është i lidhur  me pozicionin e saj  ligjor si institucion civil i administratës shtetërore. Specialistët më të mirë të policisë shqiptare gjykojnë se në kushtet aktuale duhet të bëhen ndryshime radikale në mjaft aspekte, duke përfshirë me patjetër edhe ligjin e Policisë së Shtetit, shoqëruar me ndryshime në strukturën e Policisë së Shtetit me qëllim që ajo të jetë më efiçente  dhe në funksion të parandalimit të Veprave penale. Me mjaft rëndësi është edhe fakti që  të njihen faktorët që ndikojnë në  parandalimin e krimit, të cilët janë të shumtë dhe lidhen me pasojat e mëdha sociale, ekonomike, politike etj.

Detyrë  e Policisë është që të njohë gjendjen dhe dinamikën e kriminalitetit në proces, në lëvizje dhe në  përshtatje me këtë realitet të veprojë me profesionalizëm e shkathtësi, pasi vetëm kështu parandalimii kriminalitetit mund të jetë efektive. Duke marrë këto masa dhe kryer veprime tejet profesionale Policia e Shtetit do të jetë e aftë të përballojë sfida të mëdha në luftën për parandalimin e krimit, zbulimin e autorëve, dokumentimin dhe goditjen shkatërrimtare të  tyre. Me punën e tij dinjitoze punonjësi i policisë  do të rrisë besimin  e humbur te qytetari. Shpresat se kjo situatë do marrë fund sa më shpejt të jetë e mundur janë të  shumta pas rotacionit të  ndodhur rreth dy muaj më parë. Pritshmëritë e të gjithëve janë tejet të mëdha nga Qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 23 Qershorit. Para së gjithash në këtë periudhë më shumë së për gjithçka tjetër, shqiptarët kanë nevojë për rend, siguri e qetësi publike. Nëse garantohen më së miri këto atëherë edhe  punohet edhe jetohet me shumë dëshirë në këtë vend ku shpresojmë se do bëhet me patjetër mirë e bukur për të gjithë. 

*Ish-shef i komisariatit të Policisë së Elbasanit


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›