"Krishtlindje të bekuara", besimtarët ndriçojnë mesnatën
Mesnata e djeshme ka shënuar edhe fillimin e festimeve për Ditën e Krishtlindjeve. Moti i ftohtë nuk ka mundur të ndalë pjesëmarrjen e mijëra besimtarëve të krishterë në meshat e organizuara në kishat dhe katedralet jo vetëm në Tiranë, por anekënd Shqipërisë. Katolikë dhe ortodoksë me qirinj të ndezur në duar janë lutur dhe kanë nisur festimet e natës së bekuar të lindjes së birit të Perëndisë, Jezu Krishtit. Festa e Krishtlindjeve ose siç quhet ndryshe në Shqipëri e Kërshëndellave është shndërruar tashmë në një traditë festive jo vetëm për besimtarët e krishterimit, por edhe për të gjithë të tjerët që e konsiderojnë atë si një ditë të veçantë, ku duhet të mbizotërojë atmosfera festive dhe harmonia mes njerëzve. Ngjyra e kuqe është karakteristika e kësaj feste, e cila do të mbledhë edhe gjatë ditës së sotme rreth tryezës familjare miqtë dhe të dashurit. Përgatitjet për këtë ditë feste kanë kohë që kanë filluar dhe ndihen jo vetëm në kryeqytet. Dhe sikundër e kërkon edhe tradita, pritet që njerëzit mesditën e sotme pas kremtimeve në kisha dhe katedrale të bëjnë urimet e rastit edhe mes tyre duke shkëmbyer vizita e dhurata. Në Shqipëri, në ditë si kjo nxirret në dukje bashkëjetesa paqësore dhe fryma e mirëkuptimit mes njerëzve të feve të ndryshme. Dita e Lindjes së Krishtit kremtohet nga besimtarët e krishterë në mbarë botën. Kështu, kur mesnata shënon nisjen e ditës së Krishtlindjeve në qytetin palestinez të Betlehemit, mijëra pelegrinë mblidhen përballë Kishës së Nativitetit ku, sipas Biblës, ka lindur Krishti. Në Romë, Papa Benedikti, ka mbajtur meshën tradicionale të mesnatës në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa në mëngjes përshëndet besimtarët në 64 gjuhë të ndryshme, ku nuk mungon as gjuha shqipe, duke uruar të gjithë besimtarët shqiptarë kudo që ndodhen në botë. Gjithashtu, përshëndetjet në vendin tonë me rastin e Krishtlindjes nuk kanë munguar edhe nga personalitetet politike, përfshirë edhe ata kosovarë. Presidenti Bamir Topi në një mesazh urimi shprehet se: Në këtë ditë feste dalin në pah ndjenjat më të mira të mirësisë dhe harmonisë që karakterizojnë të gjithë shqiptarët pa dallim, duke i vënë ato në shërbim të prosperitetit të shoqërisë e të ardhmes integruese të vendit tonë. Sipas besimit fetar, Krishti mori rrugën e shpengimit të njeriut nga paudhësia, nga ligësia dhe mëkati dhe gjithë zemërimi i Perëndisë ndaj njerëzimit u zbraz në Krishtin Jezus. Mëkatshmëria e njeriut dhe dashuria e Perëndisë ndaj tij ishin ato që e dërguan Krishtin që të jetë një sakrificë, kurban në kryq. Ai vdiq dhe pas tri ditëve u ringjall dhe u ngrit në të djathtën e Perëndisë.