E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lionel Mesi: Barcelona është përmirësuar me Pep Guardiolën

Lionel Mesi është i kënaqur me mënyrën se si Barcelona po luan në këtë sezon, nën drejtimin e trajnerit të ri, dhe synon ta ndihmojë skuadrën që të fitojë trofetë në aktivitetet ku merr pjesë. Ylli argjentinas beson se në klubin katalan kanë ndryshuar shumë gjëra që prej emërimit të Pep Guardiolës në krye të stolit. "Blaugranat" kryesojnë kampionatin me 10 pikë diferencë nga ndjekësja më e afërt dhe Mesi është impresionuar nga tekniku i ri. Gjatë një udhëtimi në Uzbekistan, si pjesë e marrëveshjes që Barça ka me Federatën Argjentinase, 21-vjeçari u shpreh i kënaqur me situatën në "Kamp Nou", por nuk harroi të vlerësonte edhe punën e Frenk Rajkard. "Guardiola e ka ndryshuar Barçën. Pas ardhjes së tij skuadra është përmirësuar, por në të njëjtën kohë dëshiroj të theksoj se edhe Frenk Rajkard është një trajner i madh", deklaroi ai. "Nëse më duhet të bëj një krahasim ndërmjet dy trajnerëve, do të thosha se diferenca më e madhe qëndron te rezultatet që kemi regjistruar në vitet e fundit. Në muajt e fundit, nën drejtimin e Rajkard kemi pasur vështirësi, megjithatë skuadra është pothuajse e njëjta me atë të përpara dy viteve. Fitoret janë ato që bëjnë diferencën dhe për fat të mirë kemi pasur një ecuri mjaft pozitive". Pavarësisht kryesimit në La Liga, Mesi kërkon që skuadra të qëndrojë me këmbë në tokë kur kampionati të rifillojë. "Në klasifikim na ndjekin skuadra shumë të mira, si Valencia, Vijareali, Sevilja dhe Reali i Madridit, të cilat janë gjithmonë të gatshme të përfitojnë nga gabimet tona. Duhet të vazhdojmë të luajmë në të njëjtën mënyrë dhe mos të kënaqemi nga avantazhi që kemi krijuar", shtoi argjentinasi. Mesi ka qenë kandidat për disa çmime individuale në vitin 2008, por pranon se trofetë personale nuk kanë shumë vlera për të. "Nuk më shqetëson fakti që nuk fitova asnjë trofe personal, pasi më e rëndësishme për mua është që Barcelona të ketë një ecuri të mirë dhe të arrijmë suksese kolektive, shpjegoi lojtari. Momentalisht nuk mendoj aspak për çmimet individuale, por nëse skuadra vazhdon të fitojë, atëherë jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët do të kenë mundësi të marrin vlerësime".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›