Krishtlindjet, Rama në shtëpinë e Aleks Nikës
Ditën e Krishtlindjeve kreu i socialistëve Edi Rama e ka shfrytëzuar për të qenë pranë familjes së një prej viktimave të protestës së 21 Janarit. Pas vizitës që ai kreu dy ditë më parë në familjen e Hekuran Dedës, dje Rama së bashku me bashkëshorten Linda ka qenë i pranishëm në shtëpinë e Aleks Nikës, një tjetër viktimë e asaj proteste. Në një postim në rrjetin e tij social Tëitter, Rama është shprehur se familjarët e Nikës presin drejtësi, ndërsa vajza e tij të atin. “Për Krishtlindjet në shtëpinë Aleks Nikës, ku të rriturit presin drejtësi për vrasjen, ndërsa Amelia 4 vjeçe pyet përditë a do vijë babi sot?”, - thekson Rama në një njoftim të shkurtër. Gjatë bisedës në familjen Deda, Rama ka ritheksuar se viktimat e 21 Janarit nuk janë harruar nga PS-ja dhe s'kanë për t'u harruar kurrë, pasi ata e dhanë jetën për një Shqipëri më të mirë. Ndërkohë që po për Krishtlindje kreu i PS-së këtë vit ka zgjedhur qytetin e Korçës për të bërë urimin në këtë ditë të shënuar për të gjithë të krishterët. Urimi i Ramës ka ardhur pas takimit me Metropolitin e Korçës, imzot Johanin, në Kishën Ortodokse të Mitropolisë së Shenjtë, ku ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për më shumë paqe dhe begati. “Kënaqësi e posaçme që Krishtlindjet t’i kalosh në Korçë, në këtë atmosferë magjike dëbore dhe zbukurimesh. Nga këtu unë dëshiroj të përfitoj nga rasti për t’u uruar që të gjithë shqiptarëve mbarësi, fat, shëndet, sukses dhe mbi të gjitha kurajë të gjithë atyre, dhe nuk janë pak, janë shumë, që janë të pamundur, të sëmurë, të papunë, në pafuqinë për të përballuar vështirësitë e rritura të një jete gjithnjë e më të shtrenjtë, me më pak shpresë, me më shumë mundime. Por çka vlen vërtet të thuhet dhe në hirin e kësaj dite është se kuraja dhe besimi padyshim mund të çojnë përpara jo vetëm secilin, por edhe të gjithë shoqërinë tonë dhe unë jam i bindur që kështu do ndodhë”, - është shprehur Rama në urimin e vet. Në këtë vizitë kreu i PS, Edi Rama, ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama dhe kryetari i Bashkisë së Korçës, Niko Peleshi. Ndërkohë që në vizitën e tij në qytetin e Korçës Rama është edhe me fëmijët Greg dhe Rea.