Berisha: Presidenti, jo konsensual, partiçka e Topit me sharlatanë
Presidenti Topi deklaroi se nuk do të synojë më Presidencën pas 20 korrikut. Kjo do të thotë se ai do të kthehet aktiv në jetën politike të vendit, një koment ju lutem për këtë deklaratë...
Kjo deklaratë vjen pasi dy javë më parë un u bëra të qartë shqiptarëve se ai nuk do të jetë më kandidat i kësaj shumice. Kështu që do të kishte qenë më e mbarë që kjo deklaratë të vinte të paktën 3 javë më parë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Natyrisht nuk bëhet fjalë që ai të ishte kandidat i shumicës. Zoti Topi gjatë presidencës së tij ka ndërmarrë një sërë aktesh, të papajtueshme kryekëput me programin e Partisë Demokratike. Ka shkelur disa nga parimet e mëdha programore të saj, dhe faktikisht po dekonstuticionalizon institucionin e Presidencës, duke e kthyer atë në selinë e një particke të vogël, çka nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e një vendi.
Konkretisht po thoni se ka shkelur parimet edhe të statutit edhe të vetë PD-së?
Jo, nuk ka pasur detyrime statuore, ai është President i Republikës dhe ka lënë funksionet partiake. Por refuzimi që i bëri ligjit të lustracionit, si një i djathtë që shkonte majtas. Unë e dhashë si një nga shembujt qëndrimin e tij dhe implikimi i tij në ngjarjet e 21 Janarit dhe një histori qëndrimesh të tjera në mënyrë absolute pa asnjë bazë, sepse kjo shumicë ka dëshmuar ndaj tij vetëm besim dhe mirëbesim. Ka një moment kyç në qëndrimin e njeriut, ajo që quhet njerëzi dhe në thelb të saj është mirënjohja, nuk bëhet fjalë këtu ndaj meje, pasi unë nuk ndërtoj asgjë mbi baza raportesh personale dhe kjo është e faktuar. Por ndaj atyre të cilët punuan dhe e vendosën me besim të plotë në karrigen më të lartë të shtetit, tregove se kishe 0 mirënjohje dhe 0 njerëzi. Mendojmë që le ta lëmë dhe këto muaj që kanë mbetur, pavarësisht se e ka shndërruar në seli të një partize të kafklave, ka caktuar edhe kryetarët. Po shfrytëzon këtë duke dëmtuar thellë funksionet e kryetarit të shtetit. Në Shqipëri janë ceremoniale, por ceremonialet janë të nderit të kombit, ai ka funksion për të nderuar në emër të kombit, një funksion shumë i rëndësishëm. Por nuk janë vetëm ceremoniale de fakto dhe de juro, në ligjet e vendit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë është qeveria e drejtësisë. Është ekzekutivi që kontrollon, që interferon, që i emëron dhe që i shkarkon. Të gjitha këto me një pushtet që bën të jetë tërësisht i pavarur, dhe që po përjeton sot ditët më të vështira të ekzistencës, sepse sundohet sot nga një parti e vogël, nga një parti që nuk është as një për qind, e provoi vetë këtë në regjistrimin e popullsisë. Ajo është partia e faqezinjve, e them këtë pasi kurrë nuk mund të vijnë persona të caktuar të uzurpojnë institucionet kushtetuese, pse nuk japin dorëheqjen? Dhe jo atë që bëjnë këto dy institucione, funksioni i Presidencës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ky është problemi. Problemi është se njeriu i qytetëruar, njeriu që ka nocionin elementar të shtetit e të ligjit, nuk mund t’i lejojë vetes që nga kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të pushtetit më të rëndësishëm të vendit. Është i rëndësishëm sepse lidhen më shumë se me çdo gjë tjetër liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Kthehet në partickë të vogël të sharlatanëve, të cilët morën përgjigjen më shembullore në censusin e këtij vendi. Por kjo periudhë është një periudhë shumë e shkurtër, dhe institucionet e këtij vendi do vendosen përsëri në kushtet e kushtetutshmërisë së plotë.
Në përgjigjen tuaj iu referuat zotit Spahiu, por po i referohem zotit Topi, a është përgjegjës për këtë situatë që sapo thatë?
Unë mendoj se përgjegjësitë për situatën aktuale të drejtësisë në këtë sistem para së gjithash dhe mbi të gjitha, të qeverisë të KLD. Dhe mendoj se ky institucion, sipas dokumenteve të pakontestueshme ndërkombëtare, ka përgjegjësi të mëdha për situatën aktuale në sistemin tonë të drejtësisë. Por sërish nuk ka vend për dëshpërim, Kushtetuta është një ligj i shkëlqyer i vendit, ligjet janë shumë të mira, në një moment të caktuar abuzuan dhe ndodh në muajit e fundit të mandatit dhe le të vazhdojë, por ky është një rast i paprecedent.
Thatë më parë se Topi kishte besimin e PD-së kur mori mandatin. Në këndvështrimin tuaj, ka qenë një sjellje e paramenduar e zotit Topi, apo diçka ndodhi rrugës?
Nuk kam ndonjë gjë dhe nuk është këtu raporti i zotit Topi-PD, por raporti i tij me qytetarët shqiptarë, të cilët nuk pranojnë të kenë në Presidencën e vendit
një partickë të vogël, në vend të një institucioni kryesor kushtetues, ky është problemi madhor.
A ka pasur gjatë këtyre viteve, z.Berisha, tentativa apo përpjekje për të gjetur një rikthim të paqes mes jush?
Unë nuk bëj luftë me njeri. Unë jam zyrtar. Nuk jam luftëtar. Unë bëj detyrën time. Nuk bëj luftë me njeri unë.
Kur ka qenë kontakti i fundit me z.Topi?
Në festën e Flamurit dhe të Çlirimit. Nuk kam pengesa personale unë me asnjë njeri. Jam jashtë atij koncepti.
Deklarata juaj se nuk do të rikandidoni presidentin Topi sjell diskutimin e një presidenti të ri. Shpesh herë gjatë këtyre viteve janë hedhur në treg emra, është diskutuar për emra konkretë, por ka pasur edhe nga ata që janë deklaruar, si Nano. Megjithatë, edhe pse shpejt, e keni menduar sesi do të jete Presidenti i ardhshëm, duke qenë se si mazhorancë e keni tagrën ta zgjidhni?
Unë i garantoj shqiptarët se do të jetë një zgjedhje kushtetuese. Domethënë një zgjedhje në përputhje të plotë me Kushtetutën e këtij vendi. Kjo nuk ka asnjë mëdyshje. Në çdo kohë unë kam dhe do të kem si udhërrëfyes kryesor Kushtetutën. Ata që përpiqen që ta paraqesin politikën konsensus e vërteta është se ata thonë një mashtrim të madh. Politika para së gjithash është një dallim, ajo përmbush misionin e saj, në momente të caktuara bie në kompromis, por politika konsensus nuk është, është kompromis, është një marrëveshje dhe marrëveshja më e gjerë është Kushtetuta, ajo është kontrata e qytetarëve me shtetin ndaj... siç është faktuar në mënyrë të përsëritur nuk kam pranuar të bëj kompromise për dhunimin e saj, nuk kam pranuar dhe nuk do të pranoj kurrë që në Shqipëri apo jashtë saj të tentohen të rishkruhen nenet e saj. Kushtetuta është demokratike dhe ajo do të respektohet. Ky vend kaloi këtë vit situata shumë të vështira, por i kaloi tërësisht brenda rendit kushtetues, i kaloi tërësisht në respektim të kushtetutshmërisë së vendit. Imagjinoni zhurmën që u bë për votat. Cili është sot rezultati i saj? Rezultati i saj: është numëruar çdo votë, një detyrim madhor kushtetues... Në rast se opozita do të ketë vullnetin të votojë kandidatët tanë, do të ketë besimin më të madh.
Kur thatë pak më parë se do të respektoni Kushtetutën, kjo e përjashton atë që në një farë mënyrë Rama tha se shpreson ende në një president konsensual?
Nëse z.Rama merr përsipër që të votojë kandidatin e mazhorancës, unë këtë e vlerësoj. Nuk kam pse ta refuzoj. Një dorë e shtrirë nuk kthehet, por unë po qartësoj që Presidenti do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe do të jetë kandidat i mazhorancës.
Kjo e përjashton Fastos Nanon?
Unë i kam bërë të qarta qëndrimet e mia... Me z.Rama ne ramë dakord që presidenti të zgjidhet 50+1, çka i dha një mundësi Kushtetutës që të funksionojë, se përndryshe duhej shkuar në zgjedhje dhe tani që ne e sollëm atë në parametrat perëndimorë, tani kërkohet që të rikthehet tek ai variant... Tani që ta bëjmë Presidentin pre të ambicieve politike të kësaj apo asaj force dhe të fusim vendin në zgjedhje, në një kohë kur ajo ka funksione simbolike, atëherë unë mendoj që këto ndryshime ishin shumë të dobishme dhe unë u qëndroj atyre.
Le të rikthehemi sërish te ky argument, ku pas pak muajsh do të jetë shumë aktual dhe normalisht në këtë debat është folur edhe emri i znj.Topalli. Ju thatë që do të jetë një kandidat nga mazhoranca, apo do të jetë një emër tjetër surprizë?
E kam theksuar. çdo drejtues i Partisë Demokratike... të garantoj, në mendjen time nuk ekziston asnjë i vetëm kandidat për postin e Presidentit dhe kemi një afat kohor gjashtë mujor...
Lidhur me procesin e integrimit...
...Kurrë ndonjëherë z.Rama nuk do të mund të marrë peng për asgjë këtë vend. Ne jemi në procesin e integrimit, ky proces kërkon 3/5, ...por nëse Rama mendon se meqenëse mazhoranca nuk ka në dorë 3/5 dhe vendos ta bllokojë, që nesër ta bllokojë. Pse e them këtë? Sepse duhet ta zgjidhin shqiptarët, janë shqiptarët dhe vetëm shqiptarët që duhet të zgjidhin problemet e tyre. Kur një njeri tenton të marrë peng, ata (shqiptarët) dinë siç e dhanë me 8 Maj, që t’i japin përgjigjen. E rëndësishme, të funksionojë ligji, Kushtetuta dhe shteti ligjor.