Berisha-Nano, takohen dy herë brenda një jave
Presidenti Topi: Besoj se viti që vjen do të jetë i mbushur me më shumë dialog, komunikim dhe arritje për Shqipërinë
Kryeministri Berisha dhe ish-kreu socialist Fatos Nano janë takuar për herë të dytë radhazi në harkun kohor të një jave. Ka qenë pikërisht kremtimi i festës së Krishtlindjeve, ajo që ka ofruar këtë “rastësi pikante” në Katedralen e Shën Palit në Tiranë. Kështu, kreu i mazhorancës dhe Nano u takuan pikërisht gjatë vizitës që zhvilluan tek Imzot Rrok Mirdita, ku uruan besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes. I pranishëm në atë moment ishte edhe ish-presidenti Rexhep Meidani dhe ministri i Kulturësm Aldo Bumçi. I pari në Katedrale ka mbërritur Berisha dhe më pas në ambientet e pritjes ka mbërritur edhe paraardhësi i tij Nano. Të dy ish-kundërshtarët politikë kanë shtrënguar duart dhe kanë shkëmbyer vetëm urimet e rastit dhe duke u nisur nga atmosfera janë mjaftuar me përshëndetjet e rastit. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është pikërisht fakti se nga takimi i tyre i fundit në promovimin e librit “Enver Hoxha” të Blendi Fevziut, një javë më parë, ky ishte kontakti i parë i tyre pas deklarimit hapur të kryeministrit Berisha se Nano nuk do të jetë president i propozuar nga mazhoranca.
Berisha
Pas kësaj vizite Kryeministri shprehu urimet e përzemërta për besimtarët ortodoksë e të krishterë shqiptarë, duke theksuar se të gjithë besimtarët e Zotit nderojnë këtë ditë aktin më sublim të jetës së shoqërisë njerëzore, lindjen. “Nderojmë jo vetëm lindjen, por lindjen e një burri, i cili do të martirizohej, flijohej, për të ndriçuar mendjet e njeriut. Le të falënderojmë Zotin për ndihmën e tij të madhe që u ka dhënë dhe u jep shqiptarëve, të cilët festojnë sot këtë ditë më mirë se kurrë në historinë e tyre. Le të urojmë bashkërisht që Krishtlindjen tjetër ta festojmë më të begatë, më mirë, më afër ëndrrave tona”, uroi kryeministri Berisha. Po ashtu edhe ish-kreu socialist Nano, në përfundim të vizitës në Katedralen e Shën Palit, në një prononcim të shkurtër për mediat, duke uruar festën e Krishtlindjes, uroi edhe për më shumë bashkëjetesë paqësore mes njëri-tjetrit.
Topi dhe Topalli
Presidenti Bamir Topi ishte dje në Kishën Ortodokse dhe më pas në Katedralen e Shën Palit, për të uruar në këtë mënyrë të gjithë besimtarët e krishterë. Në urimin e tij, kreu i shtetit u shpreh se dita e Krishtlindjes mbart një simbolike sublime, atë të lindjes së shpresës. Ndërkohë, një urim ai e bëri edhe ndaj politikës në vend, ku theksoi se viti i ardhshëm të jetë më konstruktiv në dialog dhe komunikimin mes palëve. “Ka një simbolikë të madhe kjo ditë. Është lindja e shpresës, e paqes për t’i hapur rrugë komunikimit dhe në këtë ditë ka nevojë për reflektim. Besoj se viti që vjen do të jetë i mbushur me më shumë dialog, komunikim dhe arritje për Shqipërinë”, theksoi ai. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli e cilësoi ditën e Krishtlindjeve si një nga festat më të bukura dhe më të gëzueshme, duke theksuar se një festë e tillë vjen si një moment reflektimi, në kapërcimin drejt të pamundurës.