E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krisja e godinës së Juridikut, studentët në protestë

Studentet të Fakultetit Juridik në Tiranë kanë protestuar sot duke bojkotuar një orë mësimin, pasi ndihen të pasigurt në ambientet ku zhvillojnë leksionet. Prej kohësh muret janë plasaritur dhe situata për ta është e rrezikshme. 

TIRANE- Pas tragjedisë së Gjirokastrës, rreziku i përsëritjes së situatës është prezent mu në qendër të Tiranës, në Fakultetin e Drejtësisë. Plasaritja e mureve mbajtëse të katit të parë rrezikon të shembë të gjithë krahun e djathtë të godinës, për këtë arsye dhjetra student dhe pedagogë të Fakultetit të Drejtësisë zhvilluan një protestë duke bojkotuar për një orë procesin akademik. Kreu i Këshillit Studentor Indrit Sefa tha gjatë protestës se problemi ekziston që prej dy vitesh. Por asnjë nga organet kompetente nuk e ka vënë ujin në zjarr, ndonëse rrezikohet jeta e mbi 2500 studentëve.
”Duke marr shkas nga ngjarja e fundit e ndodhur në qytetin e Gjirokastrës dhe rreziku i përsëritjes së situatës në Fakultetin e Drejtësisë, ne si Këshill Studentorë kemi zgjedhur të bëjmë këtë proteste, ku shkak është bërë plasaritja e mureve e cila ka ardhur si pasojë e një shtese të ndërtuar mbi katin e tretë të kësaj godine”, tha kreu i Këshillit Studentor Sefa .

Më tej ai shtoi se “në auditorët e kësaj godine ulen çdo ditë mbi 2500 studentë, të cilët veç kushteve të vështira në të cilën zhvillohet mësimi, i duhet të përballen edhe me ankthin e shembjes së godinës”.

Kërkesa e tyre sipas Sefës konsiston në marrien e masave “ajo ç’ka ne kërkojmë me anë të kësaj proteste është marria e masave të menjëhershme. Ky problem është ngritur edhe herë të tjera, por nuk kemi marre asnjë zgjidhje”.

Kryetari i Këshillit studentor thotë se përfundimi i inxhiniereve të firmës ndërtuese bie ndesh me atë të grupit të ekspertëve të Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilët japin alarmin për rrëzimin e godinës.

Për një problem të tillë prononcohen edhe vetë studentët, ja se si shprehen ata pyetur nga “NEWS24”

Studentja e parë: Rrezikshmëria është goxha e larte, dhe problemi më i madh qendron tek salla një që është edhe auditori më i madh ku kryhen edhe leksionet dhe ku ndodhet numri më i madh i studentëve.

Studentja e dyte:Duhet të ndërgjegjësohen instancat përkatëse, pasi kjo gjë mund të kthehet në një tragjedi më të madhe.

Studentja e tretë: Deri tani nuk është bërë asgjë, urojmë që të na dëgjojnë, duhet që të merren masa sa më parë.

Studentja e katërt: Jemi goxha të rrezikuar për sa i përket këtij problemi dhe i bëjmë thirrje të gjitha instancave të bëjnë diçka në lidhje me këtë problem.

Në shenjë proteste studentët mbyllën derën kryesore të Fakultetit, me shpresën se kërkesat e tyre do të realizohen, por nëse gjithçka do të vazhdojë si më parë studentët thonë se kjo derë nuk do te hapet më.

(a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›