E Diel, 1 Nëntor 2026

Krista: 7 vjet që merrem me taekwondo, thonë: Ajo të rreh

TIRANE - Vite më parë shumëkush nuk e dinte se ekzistonte një sport i tillë, ndërsa frekuentimi nga vajzat ishte i paimagjinueshëm. E nëse sot ky sport po njihet gjithmonë e më tepër, nuk po mungojnë as femrat e para që po e zgjedhin. Krista Shehaj është njëra prej tyre. 16-vjeçaren e takojmë gjatë një ore stërvitje në palestër, ndërsa na tregon se ende njerëzit habiten kur ajo u tregon se merret me Taekwondo.
Krista, sa kohë ke që merresh me Taekwondo?
Taekwondo-në e kam filluar në moshë shumë të vogël, kur isha në klasë të pestë. E kam ndaluar disa herë për shkak të ngarkesës së mësimeve, ndërsa nga viti i parë gjimnaz e vazhdoj rregullisht.
Çfarë dije ti për këtë lloj sporti para se të filloje?
Para se të filloja nuk dija asgjë. Në fillim mendoja se isha duke mësuar karate, por pastaj fillova të kuptoja që kishin shumë ndryshim njëra nga tjetra. Dhe ka shumë gjëra për të mësuar.
Pse ke zgjedhur të merresh me këtë sport?
Më pëlqente. Që kur isha e vogël isha shumë e shkathët. Po ashtu babai im merrej me karate dhe ai më shtyu më tepër për të hyrë. Hyra në fillim, më pëlqeu shumë. Ishte një sport shumë i veçantë. Nuk kishte shumë vajza në këtë sport dhe e zgjodha. Plus që të ndihmon edhe për vetëmbrojtjen.
Pse është e rëndësishme vetëmbrojtja?
Në Shqipëri është shumë e rëndësishme sepse jemi një vend që ka shumë probleme, hajdutë e pasiguri.
A ke patur raste që e ke vënë në zbatim?
Në rrugë jo, asnjëherë. Ne nuk na lejohet ta përdorim jashtë, por në ndonjë rast dhe na lejohet.
Cili është reagimi i njerëzve kur u tregon që merresh me Taekwondo?
Habiten, më thonë “uau”. Fjalia e parë që më thonë është “rreh, rreh?”, por nuk është sport që mund ta përdorësh jashtë. Ai përdoret vetëm për ndeshje si dhe praktika që bëjmë brenda palestrës.
Po mendimi i të dashurit të cili është, nëse ke gjithmonë një të tillë?
Jo, nuk kam të dashur.
Po shokët e tu çfarë mendimi kanë?
Në fakt ka çuna që iu pëlqen ky lloj sporti, por ka edhe çuna që nuk iu pëlqen. Por disa çuna kur iu them që merrem me Taekwondo thonë: Hej kujdes se kjo të rreh. Kjo është fjalia e parë që thonë, por në përgjithësi nuk e kanë problem.
A të ka ndryshuar ndopak karakterin ky sport? A të ka bërë më mashkullore?
Të merresh me Taekwondo nuk do të thotë që femrat të kenë atë stilin e mashkullit sepse kjo është ideja që mbizotëron. Jo, mund të jesh shumë femër dhe mund të përdorësh Taekwondon për sport.
Ti the që e ke zgjedhur për pasion. Por, një femër e ndihmon edhe për të mbajtur trupin në formë, apo jo?
Normal edhe ajo është një pjesë shumë e rëndësishme. Sidomos gocat duhet ta mbajnë trupin në formë.
Do ua këshilloje moshatareve të tua, femrave të tjera?
Pse jo, nëse do u pëlqente do ua këshilloja, por që të merresh me Taekwondo duhet të kesh edhe trupin sepse një femër që është e gjatë, e hollë nuk mund të merret sepse nuk përshtatet. Por unë do ua këshilloja sepse është një sport shumë i mirë. Ndoshta ato nuk do ta vazhdonin për ndeshje apo për kampionat, por thjesht për pasion dhe për të mbajtur trupin në formë.
Në krahasim me aerobinë apo palestrën, a është më e mirë Taekwondo për të mbajtur trupin në formë?
Janë shumë të ndryshme. Nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, por Taekwondo-ja të ndihmon shumë edhe për trupin, për elasticitetin. etj.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›