E Diel, 1 Nëntor 2026

Murat Basha: Lus Zotin që im bir të ngrejë flamurin

TIRANE - Çdonjëri që do të lexojë emrin e Murat Bashës, menjëherë do ta lidhte me politikën, me njeriun që ndër të parët takoi mbretin Leka I, por pak me sportin, edhe pse ai pjesën më të madhe të jetës së tij ia ka kushtuar vetëm sportit. Dhe për ta besuar këtë, ai përmend: “Pasioni im për sportin ka filluar që 10 vjeç, ishte dashuria ime e parë dhe që e vijoj me të njëjtin pasion edhe sot e kësaj dite”. Murat Basha prej tri vitesh punon si Drejtor i Aktiviteteve Sportive pranë Ministrisë Mbrojtjes, por jo nga ata zyrtarët që rrinë vetëm zyrave, duke zënë myk në to, veshur me rroba ushtarake apo me kostum dhe kollare. Jo, ai është ndryshe. Madje i veçantë. Edhe në zyrën e tij të punës e gjen veshur sportiv. Në muret e kësaj zyre modeste, por me shumë trofe gjen të rreshtuara vetëm diplomat dhe medaljet e shumta që sportistët e inkuadruar në ekipet e fëmijëve të ushtarakëve shqiptarë, kanë fituar gjatë dy viteve të fundit. Ja se si e rrëfen për “Gazeta Shqiptare” lidhjen e tij me sportin Murat Basha:
Kur nisi pasioni për sportin dhe me çfarë jeni marrë konkretisht?
Në moshën 10-vjeçare kam nisur praktikisht të merrem me sport. Unë jam produkt i klasave sportive, për të cilat ka nevojë urgjente sporti sot, por kjo është temë tjetër. Ishte një pasion që lindi natyrshëm, ndoshta bashkë me mua...por ishte si një gjë që më digjte nga brenda. Më pëlqente basketbolli dhe idhulli im në sport në përgjithësi është Agim Fagu, për mua, sportisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave, sepse nuk po flas vetëm për vlerat sportive. Por siç e kam theksuar dhe në një intervistë tjetër para dy vjetësh, im atë ma bëri të qartë se, do ishte më e arsyeshme të ushtroja një sport, për të cilin nuk do kishin preferenca. Kjo ishte arsyeja që në fëmijëri fillimisht jam marrë me flakjen e çekiçit. Mund të them që isha premtues. Ëndërroja që një ditë të përfaqësoja Shqipërinë, pse jo, edhe të shpallesha kampion në Ballkan apo Europë, ku të ngrihej flamuri ynë kombëtar dhe të dëgjohej himni kombëtar shqiptar. Edhe sot e kësaj dite emocionohem kur e mendoj atë ëndërr. Por një ditë ajo ëndërr u zhduk. Më pas u mora përsëri me sport, sepse isha shumë i lidhur, por jo më me sport konkurrues, por për pasion...
Si ndodhi që e le sportin, kush ta ndërpreu atë ëndërr?
Ishte viti 1982, në klubin e Tiranës, kur dikush më thotë që unë nuk mund të vazhdoja të merrja pjesë më nëpër gara, sepse kishte ardhur një vendim i komitetit partisë rrethit Tiranë, në të cilin thuhej shprehimisht: “Ne nuk mund të duartrokisnin nëpër stadiume nipin e armikut të popullit Murat Basha, pushkatuar nga komunistët dhe djalin e një personi që ishte dënuar dy herë politikisht për veprimtari kundër sistemit komunist”. Ishte shumë e rëndë për mua. Në atë botë humba sensin e gjërave për pak kohë, pasi më prenë ëndrrën më të madhe. Komunizmi është një sistem kriminal në çdo drejtim, por krimi më i madh është të vrasësh ëndrrat dhe shpresat e rinisë, apo edhe të një populli.
Po më vonë, pas rënies së regjimit, u morët me sport?
Jam larguar nga Shqipëria më 1990, e kisha menduar gjatë atë ditë, shumë shokë të mi kishin mundur më parë të arratiseshin, ndërsa unë gjeta mundësinë vetëm në 1990. Fillimisht u vendosëm në Itali. Kam luajtur 2 ndeshje futbolli, që pak kush mund ta mendonte që luaja edhe futboll. Në Shqipëri jam ushtruar në të gjitha disiplinat sportive, përfshi edhe futbollin. U aktivizova në Serinë C2 me Terlizin. Më pas u largova për në Francë. Për fatin tim të mirë, pranë vendit ku jetoja ishte një palestër, natyrisht u interesova të stërvitem aty. Qëlloi që të stërvitej një ekip basketbolli. Mbasi u krijuan kontaktet e para, u njohëm më mirë. Bëra një test. Është rasti të theksoj se gjithë ato ditë të shpenzuara me stërvitje apo edhe ndeshje basketbolli, ku kam patur nderin dhe privilegjin të luaj në krah apo kundër Agim Fagut, Nine Shkurtit, Ardian Fullanit, Lit Udkës, Lul Teles, Arjan Kolanit, Fatmir Cukës, Sokol Bellovës, më shërbyen për ta patur më të lehtë t’i bindja drejtuesit e klubit të Sevranit, që jo vetëm të bëhesha pjesë e tyre, por pas një muaji të merrja edhe drejtimin e ekipit. Presidenti i klubit të basketbollit “Sevran”, që militonte në kategorinë e tretë, krijoi bindjen në aftësitë e mia dhe më ngarkoi për detyrë jo vetëm të luaja për ekipin e tij, por të isha edhe trajner. Kështu që mora drejtimin e ekipit “Sevran”, në rrethinat e Parisit. Kam përjetuar emocione shumë të bukura në atë periudhë, që përkon me vitin 1992. Me disiplinë të hekurt, stërvitje të fortë, pasion dhe kreativitet, bëra që gazeta “Le Monde” të shkruante për ekipin e ‘Sevranit’ dhe për mua. Ndarja me ekipin ka qenë e dhimbshme, djem që më ngrinin në krahë dhe nuk shkëputeshim dot nga njëri-tjetri.
Po pse e latë sportin, kur mund të kishit bërë karrierë, të paktën si trajner, kur ju thoni që edhe sportistët ju deshën?
Vërtet sporti ishte jetik për mua, por po aq jetike ishte edhe një ideal tjetër, Shqipëria dhe Mbretëria Shqiptare. Pata një ftesë nga Mbreti Leka I, që në atë kohë jetonte në Afrikën e Jugut, të angazhohesha direkt në politikë.
Po më pas çfarë ndodhi?
U ktheva në Shqipëri më 1994, doja të jepja kontributin tim në politikën shqiptare, duhet të punonim të gjithë për Shqipërinë. Disa nga ata që u larguan me ambasadat shumë vonë janë kthyer, ndërsa unë isha ndër të parët që u ktheva, kjo sepse kisha idealet e mia, por edhe sepse, veç detyrimit familjar dhe politik, dëshiroja të jepja kontributin tim modest për Shqipërinë. Më 1996-ën u bëra nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Ndërsa jam marrë me punë private, duke siguruar të ardhurat për familjen, asnjëherë nuk e ndërpreva stërvitjen, nuk u largova nga sporti. Madje kam punuar edhe instruktor palestre jo thjesht për të punuar, por të stërvitesha edhe vetë.
Shumë kohë nuk patët lidhje me sportin, përveç të ushtruarit në mënyrë individuale…?
Është e vërtetë. Në vitin 2010, pas kërkesës time, Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, duke e njohur pasionin që unë kisha për sportin, më përzgjodhi të drejtoja aktivitetet sportive në ushtri. Ai më kërkoi të bëja një projekt për sportin në ushtri. Një grup ekspertësh përzgjodhën projektin si më të mirin. U bëra Drejtor i Aktiviteteve Sportive në Ministrinë e Mbrojtjes. Le të flasim troç, edhe këtu jam munduar të bëj një ndryshim rrënjësor, që nga mënyra e të konceptuarit të punëve dhe stërvitjes dhe deri të pjesëmarrjet në aktivitete, apo medaljet e fituara nga sportistët e stërvitur prej nesh. Janë plot 106 medalje të marra në 2 vjet. Nuk janë pak, jam krenar për këtë. Kam punuar nga 12 orë dhe më shumë, gati çdo ditë...Gjithnjë pasi ikja nga zyra, shkoja te ‘Shkolla e Bashkuar’, aty ku ndodhen palestrat dhe terrenet e stërvitjeve, duke parë personalisht ecurinë e stërvitjeve. Derisa ikën sportisti i fundit, unë aty jam, duke qarë të gjitha hallet apo problemet me trajnerët. Do të vijoj ta bëj këtë punë, sepse e kam pasion. Por edhe për një arsye tjetër, im bir është stërvitur aty, ka hedhur hapat e parë drejt suksesit. Sot është kampion kombëtar në peshën dhe moshën e tij në sportin e karatesë, njëkohësisht ka fituar edhe tituj ndërkombëtarë. U jam mirënjohës trajnerëve që e kanë stërvitur djalin tim, si Ramazan Zelia, apo sot Parid Dule dhe Ramiz Ismailgeci, si dhe presidentit të Federatës së Karatesë Shqiptare, Petrit Baba, që po bëjnë gjithçka në shërbim të sportit të karatesë. Në të njëjtën kohë u jam mirënjohës edhe trajnerëve të tjerë që stërvisin djemtë dhe vajzat e ushtarakëve.
Cila është ëndrra e Murat Bashës, e këtij sportisti, politikani, njeriu të devotshëm, tashmë jo më i ri?
Në fëmijërinë time e kisha një ëndërr, të ngrija lart flamurin kombëtar shqiptar dhe të dëgjohej himni ynë kombëtar, teksa fitoja një garë jashtë Atdheut. Atë ëndërr regjimi komunist ma vrau dhe nuk munda ta realizoj. Në momentin kur ika jashtë, nuk isha më i ri për të ndjekur ëndrrën time. Falë Zotit, im bir ka të njëjtin pasion për sportin. Dhe ëndrra ime tani është që flamurin dhe himnin shqiptar ta ngrejë dhe ta bëjë të dëgjohet në Ballkan, Europë apo Botë, dashtë Zoti ta realizojë im bir, Bekimi. Edhe sikur të ishte dita e fundit e jetës, do të doja që pikërisht atë ditë im bir të më dhuronte medaljen së bashku me ngritjen e flamurit dhe dëgjimin e himnit shqiptar në një arenë ndërkombëtare.
Me çfarë do të merreni pas pushimeve?
Personalisht edhe pushimet i bëj aktive, pra duke lëvizur, duke u marrë me sport. Mund t’ju them se normalisht unë bëj 45 minuta vrapim, rreth 7 km në ditë, pastaj futem në palestër për rreth 1 orë, ku ushtrohem fizikisht me pesha, boks dhe pak karate. Dua të them diçka, ushtarakët janë me rroga relativisht të ulëta. Le t’u krijojmë mundësi fëmijëve të tyre të shprehin talentin edhe në sport, prandaj të paktën fëmijët e tyre të stërviten falas në sportet që ata preferojnë. Në 2 vjet kemi ngritur thuajse të gjitha sportet me fëmijët e ushtarakëve, lojëra me dorë, arte marciale, boks, futboll, etj. Kemi pasur rezultate të kënaqshme, por pretendojmë akoma më shumë. Jam i sigurt, që nga 106 medalje që janë fituar aktualisht, numri i tyre mund të dyfishohet në pak kohë. Pak rëndësi ka çfarë do të bëj unë personalisht, thjesht dua që sporti të ecë kudo, ata djem dhe vajza ushtarakësh të ecin përpara, sidomos ata që nuk kanë mundësi financiare të stërviten vetë, por kanë talent dhe premtojnë shumë... 

(er.nu/summerpages/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›