Guardiola do të mbajë Ronaldinjon
Telenovela "Ronaldinjo" vazhdon. Pak ditë më parë, largimi i mesfushorit nga Barcelona dukej i sigurt. Kjo, edhe pas këshillës që ai kishte marrë nga presidenti i klubit katalan, Johan Laporta, sipas të cilit ka ardhur koha që braziliani të ndryshojë skuadër. Por, sipas raportimeve nga Spanja, trajneri i ri i Barçës, Pep Guardiola, po shqyrton mundësinë që t‘i ofrojë lojtarit qëndrimin në skuadër, ku sezonin e ardhshëm do të tentohet rikthimi i Ronaldinjos në nivelet më të larta të futbollit botëror. Guardiola, që momentalisht drejton ekipin e dytë të Barcelonës, do të emërohet në detyrë vetëm në fund të muajit qershor, por ai i ka planifikuar se cilët lojtarë i nevojiten dhe cilët jo. Talenti i numrit 10 as që mund të vihet në dyshim dhe drejtuesi i ri i stolit katalan ka zhvilluar disa takime me mesfushorin për të parë se në çfarë gjendjeje psikologjike është dhe për të evidentuar se cilat ishin problemet e edicionit që sapo u mbyll. Guardiola po takohet edhe me bordin drejtues të klubit, për t‘iu paraqitur idetë e tij në merkato dhe se cilat reparte duhen përforcuar. Ndërkohë, në Itali, vazhdojnë spekulimet për bisedat e Milanit me Ronaldinjon, por duket se fakti që kuqezinjtë nuk marrin pjesë në Ligën e Kampioneve, i ka nxjerrë jashtë gare.