E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kristiano Ronaldo rikthehet në stërvitje

Ndëshkimi i Kristiano Ronaldos duket se ka marrë fund, pasi futbollisti i Mançester Junajtid është rikthyer në stërvitje të martën. Ndaj kapitenit të përfaqësueses së Portugalisë u mor masë disiplinore nga ana e trajnerit Erik ten Hag, pasi nuk pranoi të futej në lojë në fundin e fitores javën e shkuar në Premier Ligë ndaj Totenhemit.

Ronaldo vijoi të largohej nga fusha e lojës e më pas nga stadiumi pa mbaruar ende ndeshja, në një incident që e la në hije një nga paraqitjet më të mira këtë sezon të bëra nga skuadra e Ten Hagut, Trajneri holandez e përjashtoi Ronaldon nga skuadra për barazimin 1-1 të së shtunës me Çellsin, duke e lënë portugezin të stërvitej veçmas, por 37-vjeçari tashmë është rikthyer në stërvitje, në përgatitje për ndeshjen e së enjtes në Ligën e Evropës ndaj Sherifit të Tiranës.

“Sky Sports Neës” raporton se ka patur kontakt të vazhdueshëm midis Ten Hagut dhe Ronaldos, por nuk janë zhvilluar të martën bisedime për t’u sqaruar midis dy palëve. Gjesti i Ronaldos u dha jetë një numri të madh spekulimesh për të ardhmen e tij, përfshi një kthim në Itali, apo një kalim në janar tek rivalja e Premier Ligës, Çellsi.

Mundësitë për zgjedhje të Ten Hagut janë rritur me rikthimin në stërvitje të Herri Maguajërit, Aron Uan-Bisakës dhe Doni van de Bikut, pas kapërcimit të dëmtimeve. Maguajër mungon që nga muaji i shkuar, kur u dëmtua në kofshë teksa ishte grumbulluar me përfaqësuesen e Anglisë, kurse Van de Biku dhe Uan-Bisaka mungojnë që nga gusht. Por gjigandja angleze ka dyshime për formën fizike të Rafael Varanes dhe Antoni Marsial.

Mançester Junajtid mban vendin e dytë në renditjen dhe është favorit për t’u kualifikuar nga grupi E i Ligës së Evropës, pasi është 3 pikë pas kryesueses Real Sociedad dhe 6 pikë para Sherifit të Tiraspolit të vendit të 3-të, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje për t’u luajtur. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›