E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ukraina pretendon se po ka sukses në rrëzimin e dronëve

Autoritetet ukrainase u përpoqën sot të shuajnë frikën e publikut mbi përdorimin nga Rusia të dronëve të prodhuar nga Irani ndaj Ukrainës, duke pretenduar sukses në rritje në rrëzimin e avionëve të vegjël. Ndërsa komentet për një sulm me “bombë të pisët”, kanë shtuar një tjetër dimension shqetësues të konfliktit që po hyn në muajin e nëntë.

Ukrainasit po përgatiten për më pak energji elektrike këtë dimër pas një breshërie goditjesh ruse në infrastrukturën e të gjithë vendit në javët e fundit. 

Ndërkohë, qytetarët në qytetin jugor të Mykolaiv u rreshtuan për ujë dhe furnizime thelbësore, kurse forcat ukrainase vazhduan përparimin e tyre në qytetin e afërt të pushtuar nga Rusia, Kherson.

Forcat e Ukrainës kanë rrëzuar më shumë se dy të tretat e rreth 330 dronëve Shahed që Rusia ka lëshuar deri të shtunën, tha kreu i shërbimit inteligjent të Ukrainës, Kyrylo Budanov, në një intervistë të publikuar sot.

Budanov tha se ushtria ruse kishte porositur rreth 1,700 njësi të llojeve të ndryshme të dronëve, dhe se një grup i dytë prej rreth 300 Shaheds aktualisht është duke arritur.

“Terrori me përdorimin e “Shaheds” në fakt mund të zgjasë për një kohë të gjatë,” citohet të ketë thënë ai në gazetën Ukrainska Pravda, duke shtuar: “Mbrojtja ajrore në thelb po e përballon,  70% e tyre janë rrëzuar”.

Si Rusia ashtu edhe Irani mohojnë që ndonjë dron i prodhuar nga Irani është përdorur në luftë.

Budanov hodhi poshtë gjithashtu spekulimet se forcat ruse po përgatisin një dalje të menjëhershme nga Kherson, edhe pse një evakuim i civilëve dhe të tjerëve, përfshirë personelin bankar dhe mësuesit, është duke u zhvilluar. 

Budanov tha se deklaratat për këtë qëllim nga komandanti i sapoemëruar i Rusisë në Ukrainë, gjenerali Sergei Surovikin, kishin për qëllim “përgatitjen e terrenit” në rast se do të ndodhte një tërheqje e plotë që zyrtari ukrainas parashikoi se do të ndodhte deri në fund të vitit.

“Por në të njëjtën kohë nuk mund t’ju them se tani ata po ikin nga Kherson,” tha Budanov.

Ndërkohë, autoritetet ruse kanë hequr monumentet e shefave ushtarakë rusë të shekullit të 18-të, Aleksandër Suvorov dhe Fyodor Ushakov nga Kherson, duke thënë se aksioni kishte për qëllim t’i shpëtonte ata nga bombardimet ukrainase. Apnews

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›