Qefalia: Objektet e konfiskuara në asete në shërbim të qytetarëve, mbrojtje ligjore pronarëve të truallit

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Projektligji për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje synon të unifikojë procedurat e administrimit, zhvillimit, përdorimit dhe shitjes së tyre, duke i kthyer këto pasuri në asete në shërbim të qytetarëve dhe strehimit social.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia prezantoi sot ndryshimet në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, gjatë shqyrtimit të projektligjit duke theksuar se ndryshimet ligjore vijnë si përgjigje ndaj problematikave të konstatuara në administrimin e këtyre objekteve, ku ndarja e kompetencave ndërmjet strukturave të ndryshme ka sjellë vonesa në vendimmarrje dhe amortizim të pasurive, në vend që ato të viheshin në shërbim të qytetarëve.
Sipas tij, problematika të tjera lidhen me mbivendosjen e roleve institucionale, mungesën e një regjistri publik dhe transparent, afatet jorealiste për vlerësimet teknike, mungesën e mekanizmave të qëndrueshëm të financimit dhe paqartësitë për përgjegjësitë ligjore e financiare të subjekteve të përfshira në ndërtim dhe mbikëqyrje përpara konfiskimit.
“Me këtë projektligj krijohet një qendër e vetme përgjegjësie për administrimin e të gjitha objekteve me status të konfiskuar”, u shpreh Qefalia.
Ai nënvizoi se synohet një vendimmarrje më profesionale dhe transparente, përmes një grupi të përhershëm pune, procedurave të përshpejtuara për lejet e ndërtimit dhe mekanizmave të qëndrueshëm të financimit, me qëllim përfundimin e punimeve dhe vënien në përdorim të objekteve.
Projektligji parashikon edhe mbrojtjen e të drejtave të pronarëve të truallit dhe personave të tretë, si dhe reduktimin e vonesave dhe paqartësive që lidhen me konfliktet ligjore.
Sipas Qefalisë, ndryshimet nuk parashikojnë kosto shtesë për buxhetin e shtetit. Administrimi i objekteve do të mbështetet nga një fond i veçantë, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre synohet të krijojnë një mekanizëm financiar të qëndrueshëm për agjencinë dhe të kontribuojnë në buxhetin e shtetit.
“Pasuria e konfiskuar nuk duhet të mbetet e bllokuar, por duhet të kthehet në vlerë për shoqërinë”, theksoi ai.
Drejtoresha e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, Risena Xhaja, sqaroi se familjet që jetojnë në këto pasuri do të vijojnë të kenë të drejtat që u garantohen nga kontratat përkatëse të qirasë, të miratuara dhe të nënshkruara te noteri.
Ajo bëri të ditur se ndryshimet synojnë gjithashtu përfundimin e punimeve të mbetura përgjysmë në objektet e ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
Sa i përket mundësisë së përdorimit të këtyre objekteve për strehim social, Xhaja sqaroi se kjo varet nga karakteristikat e tyre dhe nga vlerësimi i strukturave përgjegjëse.
Sipas Xhajës, që prej vitit 2023 janë evidentuar 16 objekte që lidhen me shkelje të lejeve të ndërtimit. Për shkak të ndryshimeve në volum dhe shtesave të kryera në këto ndërtesa, një pjesë e tyre mund të mos jetë e përshtatshme për t’u ndarë në njësi të veçanta për strehim social.
Xhaja theksoi se çështjet që lidhen me ndikimin social dhe përdorimin e pasurive për strehim kërkojnë bashkërendim me Ministrinë e Ekonomisë dhe strukturat përgjegjëse për strehimin
Projektligji u miratua me shumicë votash pro.
/e.i/j.p/r.e/ /a.g/