E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret dhe masa e pagesës së papunësisë për bashkëshorten e ushtarakut

Zbardhet vendimi i ri për familjarët e anëtarëve të Forcave të Armatosura. Pagesa sipas këtij vendimi do të njihet si vite pune për të përfituar më pas pension

Laureta Rryçi

Tiranë - Bashkëshortët e punonjësve të Forcave të Armatosura do të përfitojnë pagesë papunësie nga shteti dhe një sërë përfitimesh të tjera suplementare. Gazeta “Albania” ka siguruar të plotë vendimin që do të zbatohet tani e tutje nga Ministria e Mbrojtjes dhe specialistët e Forcave të Armatosura. Sipas këtij vendimi, falë Statusit të ushtarakut të Forcave të Armatosura, shteti e ka për detyrë që të kujdeset në mënyrë financiare edhe për bashkëshortet/ët e kësaj kategorie. Për shkak të punës që ata kryejnë, shpeshherë, bashkëshortet kanë humbur vendin e punës për të jetuar në qytetin ku është emëruar me detyrë ushtaraku. Për këtë arsye është vendosur që kjo kategori të ketë përfitime suplementare, që do të paguhen të gjitha nga shteti.
Vendimi
Sipas vendimit bashkëshortit/es së ushtarakut aktiv (oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist) të Forcave të Armatosura do t’i jepet pagë papunësie sipas kritereve dhe në masën e përcaktuar në këtë vendim, kur ushtaraku emërohet në detyrë jashtë vendbanimit të përhershëm, brenda apo jashtë vendit, si dhe kur plotëson disa kritere që vijojnë si më poshtë.
Nga ky vendim përfitojnë të gjithë ata ushtarakë aktivë që ndërrojnë vendbanim së bashku me familjen. Ky ndryshim duhet të vërtetohet me certifikatën familjare për rastet e emërimit brenda vendit, ose të vërtetuar nga struktura ku shërben për rastet e emërimit jashtë vendit. Përfitues janë përcaktuar edhe rastet kur bashkëshorti/ja humbet vendin e punës; kur në vendbanimin e ri nuk ka mundësi punësimi; kur nuk ushtron veprimtari fitimprurëse; kur nuk trajtohet me ndihmë ekonomike.
Pagesa
Paga e papunësisë jepet në emër të bashkëshortit/es së papunë në qendrën e punës së ushtarakut. Masa e pagesës do të jetë: 100 për qind e pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshorti/ja e papunë ka vjetërsi pune mbi 1 deri në 10 vjet. 120 për qind e pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshorti/ja e papunë ka vjetërsi pune mbi l0 vjet. Pagesa e papunësisë ndryshon sa herë ndryshon pagesa minimale në shkallë vendi. Bashkëshorti/ja e ushtarakut, për të përfituar pagesën e papunësisë, duhet të paraqesë kërkesën për punë në zyrat e punës dhe të përkrahjes sociale dhe në institucionin ku shërben bashkëshorti ushtarak. Në rast refuzimi pa arsye të vendit të punës së ofruar nga institucionet e përmendura në pikën 4 të këtij vendimi, sipas profesionit dhe specialitetit, përfituesit i ndërpritet pagesa e papunësisë. Pagesa e papunësisë mund të përfitohet për një periudhë deri në 7 vjet. Bashkëshorti/ja e ushtarakut, që ka përfituar sipas shkronjës “b” të pikës 3 të Vendimit Nr. 86, datë 12.3.1992 të Këshillit të Ministrave “Për disa të drejta e detyrime të ushtarakëve, të cilat rrjedhin nga Ligji Nr. 7496, datë 3.7.1991 ‘Për Statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipëris뒔, do të vazhdojë të përfitojë pagesë papunësie në masën e përfituar në mbështetje të Vendimit Nr. 86, datë 12.3.1992, edhe për 7 vjet, por jo më shumë se 15 vjet dhe jo më të vogël se masa e përcaktuar në pikën 3 të këtij vendimi.

Pagesa e papunësisë njihen si vite pune për pension

Bashkëshorti/ja e ushtarakut që ka përfituar pagesën e papunësisë e përfiton atë edhe pasi ushtaraku nxirret në rezervë, në lirim ose vdes, por jo më shumë se periudha e caktuar në pikën 6 të këtij vendimi dhe në përputhje me kriteret e vendosura në këtë vendim. Në çdo rast, paga e papunësisë do të tërhiqet në strukturën ku është trajtuar financiarisht ushtaraku. Pagesa e papunësisë për bashkëshortin/en e ushtarakut, që shërben jashtë strukturës organike të Forcave të Armatosura, përballohet nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes. Periudha e trajtimit me pagesë papunësie sipas këtij vendimi njihet si vjetërsi sigurimi, për efekt të përfitimit të pensionit të pleqërisë, në përputhje me ligjin “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”.
Kontributi për këtë periudhë derdhet në emër të bashkëshortit/es përfituese, të llogaritur mbi masën konkrete të kontributit minimal, të caktuar nga Këshilli i Ministrave, dhe të përballohet nga Ministria e Mbrojtjes dhe përfituesi. Masa e kontributit për pension pasqyrohet në listë-pagesat tip, të miratuara nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes.

Pensioni suplementar

Sipas ligjit, ushtaraku i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, kur ka plotësuar kushtet për pension të plotë pleqërie, përfiton pension suplementar pleqërie si ushtarak.
Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet në masën 40 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, kur ushtaraku ka vjetërsi shërbimi 12 vjet për femrat dhe 15 vjet për meshkujt.
Për çdo vit tjetër të vjetërsisë së shërbimit mbi përcaktimin e mësipërm, masa e pensionit suplementar të pleqërisë shtohet me 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë. Pensioni suplementar, në çdo rast, nuk duhet të jetë më i madh se 60 për qind të pensionit të pleqërisë. Ushtaraku që ka vjetërsi shërbimi më pak sesa përcakton ky nen, përfiton pension suplementar në masën 2 për qind të pensionit të plotë të pleqërisë, për çdo vit shërbimi në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Kushtet e përfitimit
Personat që janë në ngarkim të ushtarakut të shërbimit aktiv, në rezervë ose lirim, që vdes apo ka vdekur dhe që përfitojnë pension familjar marrin pension suplementar familjar. Masa e përfitimit të pensionit suplementar familjar llogaritet në 50 për qind për bashkëshortin/en e ve dhe 25 për qind për çdo jetim, prind dhe pjesëtar tjetër të familjes në ngarkim, me kufi maksimal shumën e plotë deri në 100 për qind të pensionit suplementar, që kishte ose i takonte të merrte të ndjerit, sipas këtij ligji. Pjesëtarët e familjes në ngarkim të ushtarakut, i cili për shkak të detyrës apo gjatë saj humbet jetën dhe që përfitojnë pension familjar, përfitojnë pension suplementar familjar.

Masa e përfitimit të pagesës suplementare në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim

Masa e pagesës në rast vdekjeje të ushtarakut në rezervë/lirim është e barabartë me masën e trefishit të pensionit bazë mujor, në shkallë vendi, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, dhe jepet nga Ministria e Mbrojtjes për ushtarakun që trajtohej me pagesë kalimtare ose nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për ushtarakun që trajtohej me pension të parakohshëm.

17 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›