E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e njohjes së diplomave në vendin tonë

25/06/2009  Aplikimet bëhen pranë Komisionit të Njohjes në Ministrinë e Arsimit

Përveç kohëzgjatjes së programit kërkohen edhe kreditet e caktuara

Kandidatët që aplikojnë për konvertimin e diplomave apo titujve të tjerë të studimit të fituar jashtë vendit përveç kohëzgjatjes së kërkuar për çdo program studimi duhet të plotësojnë edhe kreditet tashmë të përcaktuara. Sipas ligjit të arsimit të lartë, vlerësimi i nivelit dhe profilit të një diplome bëhet nga Komisioni i Njohjes që funksionon pranë Ministrisë së Arsimit. Verifikimi i këtyre titujve sipas 6 kritereve bazë specifikohet edhe në bazë të ndarjes tradicionale që u bëhet cikleve të studimit, duke filluar nga niveli i parë deri tek i treti. Për ciklin e parë (jepen diploma të nivelit të parë), kushti i përgjithshëm i pranimit janë provimet e maturës, që jepen pas përfundimit të 12-13 vjetve shkollimi të përgjithshëm, si dhe kërkohen kualifikime të tjera shtesë. Programi i kësaj diplome ka si kohëzgjatje normale tre vjet, ndërkohë që sipas procesit të Bolonjës) kjo diplomë u jepet studentëve pasi kanë fituar 180 kredite “ECTS”, kjo lloj diplome jep akses në tregun e punës, në shërbimin civil ose në profesionet e rregulluara. Ndërsa për ciklin e dytë (që përfshijnë diploma të nivelit të dytë ose “Master i nivelit të parë”) pranimi për programe të ndryshme mund t’u nënshtrohet kërkesave specifike që përcaktohen nga vetë universitetet: studimet e ciklit të dytë realizohen me 120 kredite dhe kanë kohëzgjatje normale dy vjet. Një numër i caktuar i programeve të ciklit të dytë, përkatësisht ato që çojnë në profesionet e rregulluara sipas direktivave sektoriale të BE-së (si stomatologji, mjekësi, farmaci, veterinari, arkitekturë) përcaktohen si “programe të integruara në nivelit të dytë”. Ndërsa për “Masterin e nivelit të parë” kushti pranimeve është pasja e diplomës DNP ose e një diplome të huaj të krahasueshme me të. Pranimi mund t’i nënshtrohet dhe kushteve shtesë, teksa programet e studimeve “Master i nivelit të parë” realizohen me 60 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit. Ky lloj masteri nuk jep të drejtën për të vazhduar doktoratën. Cikli i tretë përbëhet nga tre tipa programesh studimi, që përfshijnë studimet e doktoratës, programet e studimeve specializuese afatgjata dhe “Master i nivelit të dytë”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›