E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret e reja për të qenë shef në qendrat spitalore

Përgjegjësit e shërbimeve universitare “do të rifreskohen” një herë në pesë vjet. Kushti themelor, mjafton titulli “Dr.”

Ashtu siç ishte premtuar, do të ketë më shumë “favorizime” për mjekët e rinj. Madje një pjesë e mirë e studentëve të fakulteteve të mjekësisë do të jenë të privilegjuar deri në atë pikë sa të mund të konkurrojnë për të marrë stafetën e shefit të shërbimit në spitalet universitare. Risia e këtyre 20 viteve të fundit është e parashikuar në ligjin e arsimit të lartë, në ndryshimet e miratuara pak kohë më parë në qeveri, të cilat pritet të marrin miratimin e fundit në Parlament. Kriteret dhe përzgjedhja e shefave të shërbimeve përcaktohet etapë pas etape në ligjin e arsimit të lartë. Sipas ndryshimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, shefat e shërbimit do të zgjidhen një herë në pesë vite. Ata duhet të kenë minimalisht titullin “Doktor”. Deri më sot, që të zgjidheshe shef shërbimi duhet të ishte patjetër profesor, gradë më e vështirë për ta fituar, në kohë dhe kontribut. Sakaq, pjesë e ndryshimeve për spitalet universitare do të jetë edhe bashkëpunimi me fakultetet private, për dhënien e ndihmës në radhët e studentëve.

Projektligji

“Në institucionet e arsimit të lartë ose fakultetet e mjekësisë dhe stomatologjisë të institucioneve publike të arsimit të lartë që kanë qendra spitalore universitare, përgjegjësi i shërbimit është titullari i shërbimit në funksionet e njësisë bazë të fakultetit, i cili përzgjidhet me konkurs”, thuhet në projektligj. Sipas neneve që flasin lidhur me kreun e pavijonit, personi në fjalë duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit, të ketë së paku gradën shkencore “Doktor” dhe përvojë pune në fushën përkatëse, si dhe të ketë kryer kërkime dhe botime shkencore brenda dhe jashtë vendit. Kriteret e tjera të kualifikimit dhe mënyra e organizimit të konkursit të përzgjedhjes përcaktohet me statusin e institucionit dhe qendrës spitalore universitare.

Për vlerësimin e kandidatëve që konkurrojnë për përgjegjës shërbimi ngrihet një komision vlerësimi, përbërja e të cilit propozohet nga këshilli i fakultetit në fjalë dhe miratohet nga bordi i qendrës spitalore e shpallet nga rektori.

Vlerësimi

Komisioni i vlerësimit përbëhet nga pesë personalitete të vendit e të njohur për kontributin akademik dhe shkencor në fushën e shërbimit në fjalë, ose në fushat e klasifikuara nga këshilli i profesorëve të fakultetit.

Komisioni i vlerësimit përzgjedh dy nga kandidatët më të mirë konkurrues dhe ia përcjell ata bordit të qendrës spitalore universitare, i cili zgjedh një prej tyre dhe ia propozon për emërim rektorit të institucionit të arsimit të lartë e drejtorit të përgjithshëm të qendrës spitalore universitare.
Bordi dhe drejtoria e përgjithshme e qendrës spitalore universitare vlerësojnë çdo pesë vjet veprimtarinë e njësisë së shërbimit dhe të përgjegjësit të saj.

Institucionet e arsimit të lartë dhe fakultetet e mjekësisë dhe stomatologjisë mund të lidhin marrëveshje ose kontrata me spitalet e tjera jouniversitare për formimin praktik të studentëve dhe atë të kërkimit shkencor.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›