E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurodeputetët sllovakë kundërshtuan thirrjen e PE-së që ta njohin Kosovën

Qëndrimi

Eurodeputetët sllovakë, siç shkruajnë sot mediat serbe, kanë marrë mesazhe që të abstenojnë votimin për rezolutën me të cilën Parlamenti Europian u bën thirrje vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë. 

Thirrjen nga rezoluta, të cilën e ka propozuar Ulrike Lunacek, e ka përkrahur komisioneri europian për Zgjerim, Stefan Fule, shkruan sot gazeta sllovake “SME”, mirëpo e kanë kundërshtuar përfaqësuesit e Sllovakisë në Parlamentin Europian, raporton gazeta serbe “Blic”. 
“Qëndrimi i Sllovakisë është që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës”, ka sqaruar zëdhënësi i ish-shefit të diplomacisë sllovake, tani eurodeputet i Unionit Demokratik Kristian të Sllovakisë të Eduard Kukanit, i cili gjatë shqyrtimit ju ka rekomanduar deputetëve sllovakë që të abstenojnë nga votimi. 
Zëdhënësi i Kukanit, Juraj Shevel, ka sqaruar se rezoluta është e balancuar dhe ç’është më me rëndësi përcakton perspektivën europiane të Kosovës. 
Mediat sllovake kanë potencuar se rezoluta nuk fton vetëm Spanjën, Greqinë, Qipron dhe Rumaninë që ta njohin Kosovën, por shpreh shqetësim të thellë për shkak të korrupsionit të fryrë dhe krimit të organizuar në Kosovë dhe për shkak të raporteve Prishtinë-Beograd e tensionit në veri të Kosovës ku jetojnë serbët, raporton BBC.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›