E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaos në zyrat e aplikimit për kartat dhe pasaportat biometrike, dy sportele për qindra aplikime në ditë

Moszgjatja e orareve krijon incidente, punonjëset: Kërcënohemi me jetë nga qytetarët

Në këto ditë të nxehta vere pikërisht në zyrat e aplikimit për karta identiteti dhe pasaporta biometrike në minibashkitë e kryeqytetit, temperaturat e larta ndihen më shumë se kurrë. Radhë të gjata pa fund nga qytetarë të cilët në shumicën e rasteve

ose janë shkëputur nga detyra ose kanë ardhur enkas nga shteti fqinjë ku jetojnë si emigrantë, për të marrë këto dokumente të cilat janë tepër të rëndësishme. Nga vëzhgimet e kryera nga gazeta SOTditën e djeshme në një prej zyrave të aplikimit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike, radhët e gjata të qytetarëve të ndryshëm ishin një prej problemeve tejet shqetësuese jo vetëm për banorët por edhe për punonjëset e kësaj zyre. Edhe pse nga drejtuesit e Ministrisë së Brendshme është deklaruar shpesh se do ketë orare të zgjatura sidomos me fillimin e stinës së verës kohë në të cilën kthehen edhe një numër i madh emigrantësh të cilëve u duhen domosdoshmërish dokumentet, si pasaporta apo edhe karta e identitetit, sërish zyrat e aplikimit të kartave biometrike janë vetëm me dy punonjëse ndërkohë që vetëm gjatë paradites janë më shumë se 100 aplikime, shumica  të cilave kërkohen nga emigrantët e kthyer ditët e fundit. Përpos moszgjatjes së orareve të aplikimeve nga Ministria e Brendshme, problem i cili ka shkaktuar edhe radhë të gjata, e padyshim edhe kaos të madh jo vetëm tek qytetarët por edhe tek dy punonjëset e zyrës të cilat janë shumicën e kohës të tensionuara, një tjetër fakt shqetësues është edhe mungesa e një punonjësi të policisë i cili duhet të jetë i pranishëm gjatë gjithë orarit të aplikimeve për të qenë në gatishmëri të çfarëdo incidenti të ndodhur ose thjesht edhe përkeqësimin e situatës, nga vetë qytetarët shumica e të cilëve nuk e respektojnë numrin rendor për aplikimin ose marrjen e dokumenteve themeltare të identitetit. Përpos kësaj edhe numri i pakët i punonjësve të zyrave dhe mosshtimi i tyre nga firma përkatëse  cila merret me kryerjen e procesit të kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike dhe bërjen e shpërndarjen e tyre për tek qytetarët.


Incidenti
Sipas vetë punonjësve të një prej zyrës së aplikimit për dokumentet biometrike brenda këtyre dy ditëve kanë ndodhur dy incidente të cilat janë shkaktuar nga dy persona. Sipas dy punonjësve të cilat në këtë rast janë femra një pushtetar u ka kërkuar atyre ti bëjnë pa radhë aplikimin dhe punonjëset nuk kanë pranuar ta fusin pa radhë. Vetëm kaq ka mjaftuar që gjendja të tensionohej dhe vetë pushtetari jo vetëm që i ka kërcënuar dy punonjëset por nuk i ka lejuar ato të kryejnë asnjë aplikim tjetër. Përpos këtij incidenti një tjetër ngjarje jo e këndshme është shënuar paraditen e ditës së djeshme kur një 16 vjeçar ka dashur të aplikojë në emër të prindit të tij dhe jo vetëm që i ka kërcënuar jetën dy punonjësve po ka tentuar në këtë rast edhe të ushtrojë dhunë ndaj tyre. Për të gjitha këto probleme punonjëset nuk kanë pasur ku të ankohen apo të kërkojnë ndihmë pasi polici i cili duhet të ishte i pranishëm për të ruajtur qetësinë pranë kësaj zyre ishte larguar. Edhe pse drejtuesit e Ministrisë së Brendshme kanë deklaruar shpesh herë se do të merren një sërë masash sidomos me shtimin e numrit të qytetarëve të cilët kërkojnë pajisjen me dokumentet e identitetit.


Vonesat
Pajisja me kartë identiteti është shndërruar në një makth të vërtetë për qytetarët e Tiranës. çdo ditë të javës nevojtarët detyrohen që të zënë radhën përpara dyerve të aplikimit për karta identiteti apo pasaporta biometrike. Por jo gjithmonë ata arrijnë që të kryejnë punë, brenda tetë orarëshit zyrtar të punës së kompanisë private që ka fituar këtë shërbim me firmë të qeverisë shqiptare. Radhët zgjaten frikshëm në çdo njësi bashkiake në kryeqytet dhe nuk mund ta konsiderosh veten me fat as në qendër dhe as në periferi të Tiranës, kur vjen puna të afrohesh në zyrat e njësisë bashkiake ku banon. E megjithatë detyrimi për pajisjen me kartë identiteti ndonëse fillimisht u la si zgjedhje e lirë e vetë qytetarëve tashmë procesit i janë bashkangjitur edhe sanksionet që detyrojnë çdo individ të trokasë të paktën një herë në këtë zyrë. Asnjë certifikatë nuk mund të lëshohet nga punonjëset e zyrave të gjendjes civile në rast se nuk je pajisur me kartë identiteti. Dhe nevoja urgjente për një të tillë mund të shndërrohet në një mision të pamundur në rast se deri tani je treguar neglizhent në pajisjen me këtë dokument.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›