E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteret për vlerësimin e teksteve shkollore

21/02/2010 Soros: Tryezë e përbashkët për diskutimin e Altertekstit

Hidhen për diskutim ndryshimet që do të bëhen në zbatim të reformës së ndërmarrë për sigurimin e teksteve shkollore gjatë vitit të ardhshëm mësimor. Për këtë fondacioni “Soros” ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, bordit të vlerësimit të teksteve, të drejtorive arsimore, shtëpive botuese të librave shkollorë si dhe autorë tekstesh për të diskutuar zbatimin e këtyre ndryshimeve. Sipas udhëzimit të ri të miratuar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave nuk do bëhet më në librari, por nëpër shkolla, ndërsa përzgjedhja e teksteve dhe autorëve do të kalojë në disa filtra. Lidhur me risitë, kshilltari pranë ministrit të Arsimit Jovan Kristiqi ka deklaruar se në ndryshim nga vitet e shkuara në këtë reformë ka më shumë kohë për vlerësimin e autorëve dhe teksteve, duke qenë se janë përcaktuar rregulla më të qarta për komisionet vlerësuese, janë shtuar filtrat dhe kontrolli për mënjanimin e teksteve të dobëta. Gjithashtu Kristiqi ka shtuar se janë ndërmarrë politika të veçanta për shpërndarjen e librave mësimorë, për tekstet e emigrantëve dhe minoriteteve dhe se këto të fundit do të financohen një qind për qind nga Ministria e Arsimit. Dritan Nelaj, përfaqësues i fondacionit “Soros”, tha ndër të tjera se arsyeja e tryezës është rritja e transparencës dhe e bashkëpërgjegjësisë së gjithë aktorëve të përfshirë, nëse ata ishin ndier jashtë këtij procesi dhe nuk ishin marrë në konsideratë shqetësimet e tyre. Të tjerë të pranishëm, si autorë tekstesh, kontestuan mosdemokratizimin e programit, kohën e paktë që jepet për vlerësimin e teksteve dhe mosmarrjen parasysh të shqetësimeve të tyre. Megjithatë, kjo reformë do të shoqërohet me ndryshime të tjera, që kanë të bëjnë me tema të tilla si: procedura e hartimit dhe miratimit të programeve, procedura e ndërtimit të partneritetit MASH–shtëpi botuese dhe autorë, procedura e hartimit të teksteve, procedura e vlerësimit dhe certifikimit të teksteve etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›