E Shtunë, 31 Tetor 2026

Katër prokurorë të Durrësit ndjekje disiplinore në këshill

21/02/2010 “Shpëton” ish-drejtuesi Arjan Ndoja

Katër prokurorë të rrethit të Durrësit janë proceduar dje disiplinarisht nga Kryeprokurorja Ina Rama, pasi gjatë inspektimit të dosjeve të tyre janë konstatuar shkelje të rënda hetimore. I vetmi që duket se i ka shpëtuar ndjekjes disiplinore është ish-drejtuesi Arjan Ndoja, i cili pak kohë më parë dha dorëheqjen si pasojë e një debati të ashpër të zhvilluar me Kryeprokuroren Rama. Katër emrat e prokurorëve që do të ndiqen disiplinarisht në këshill janë Eduart Kariqi, Ilir Tuja, Dritan Gina dhe ish-zëvendësi i Ndojës, Drini Pali. Dje në Këshillin e Prokurorisë së Përgjithshme është zhvilluar seanca e parë për 4 të përmendurit, ku anëtarët e kësaj strukture janë njohur me raportin e shkeljeve të secilit prej tyre. Mësohet se për prokurorin Gina, kjo ndjekje disiplinore është hera e dytë, pasi ai është proceduar edhe njëherë tjetër në periudhën kur punonte në Prokurorinë e rrethit Lushnjë. Ndërkohë për sa i përket votimit të kandidatëve për kryeprokuror në Durrës, burimet sqaruan se kjo gjë është shtyrë për ditën e mërkurë. Për këtë post janë në garë 13 prokurorë, midis të cilëve janë edhe disa drejtues aktualë.

E. Qyno

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›