E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaktësitë shtyjnë miratimin e buxhetit të Tiranës

21/02/2010 Këshilli bashkiak, një javë kohë hartuesve të buxhetit për të pasqyruar mangësitë e vërejtura

Mungesa e transparencës dhe pasaktësitë në shpërndarjen e duhur të fondeve lënë ende pezull miratimin e buxhetit të kryeqytetit për 2010-n. Mbledhja e djeshme e këshillit bashkiak të Tiranës është mbyllur menjëherë pas miratimit të propozimit të bërë nga përfaqësuesit e së djathtës për dhënien e një tjetër shansi hartuesve të buxhetit për të bërë transparencën dhe korrigjimin e mungesave të detajuara. Këshilltari demokrat Ferdinand Pone ka ngritur shqetësimin e të gjithë grupit se buxheti nuk bën një pasqyrim të plotë të tabelës analitike për taksat dhe tarifat vendore që qytetarët do të paguajnë. Sipas tij, në buxhet janë parashikuar vetëm pritshmëritë që Bashkia synon të mbledhë nga këto taksa, duke krijuar mundësinë e abuzimeve, pasi rreth tri të katrat e buxhetit përbëhen prej të ardhurave që mblidhen nga taksat dhe tarifat vendore.

Gjithashtu Pone ka shtuar se gjatë diskutimit të buxhetit në komisionet përkatëse janë vënë re një sërë mangësish të tjera, për të cilat janë depozituar shkresa në Bashki që të jepet një përgjigje, ku të bëhet një pasqyrim i plotë i tyre, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Për rrjedhojë, i gjithë grupi ka vendosur që të mos kalojë në miratim këtë projektbuxhet, meqenëse përmban pasaktësi të shumta. Ndërsa nënkryetarja e Bashkisë, Albana Dhimitri, u është kundërpërgjigjur akuzave të ngritura se të gjitha pretendimet e ngritura janë të pasqyruara në projektin e paraqitur, që sipas saj duhet të lexohet më me vëmendje nga anëtarët. Nga ana tjetër, Dhimitri ka ngritur akuza kundrejt dikasterit qendror për mbajtjen peng të të ardhurave të Bashkisë për shkak të mungesës së likuiditeteve të krijuara në buxhetin e saj në fund të vitit që lamë pas. “Ne kemi ardhur për të prezantuar buxhetin dhe ju nuk doni të na lini, kërkoni të na bllokoni”, - ka vijuar Dhimitri. Kësaj kërkese i është kundërvënë edhe kryetari i këshillit Sokol Dervishaj, i cili ka kërkuar nga zyrtarët e Bashkisë që të heqin dorë nga lojërat e fjalëve dhe të pasqyrojnë siç duhet planet e shpenzimeve dhe të të ardhurave që do të përmbajë buxheti i këtij viti. Dervishaj është shprehur se këto pretendime janë veç fjalë mitingjesh, me nuancë politike, që nënkryetarja e Bashkisë nuk mund t’i përdorë në mbledhjen e këshillit. Gjithashtu Dervishaj ka rikujtuar edhe një herë se kryetari i Bashkisë duhet të paraqitet të paktën një herë në 6 muaj për të mbrojtur dhe shpjeguar ecurinë financiare të këtij institucioni, gjë që nuk respektuar asnjëherë. Mes debatesh është miratuar edhe propozimi për shtyrjen e diskutimit të buxhetit, duke i lënë edhe një javë kohë Bashkisë që të kthejë përgjigje zyrtare me shkrim kundrejt kërkesave të paraqitura nga këshilltarët.

Anëtarët e këshillit kanë kërkuar që para se të miratohet buxheti për investimet përkatëse të jetë objekt diskutimi numri i taksapaguesve, taksat e vërteta që paguajnë qytetarët dhe bizneset e Tiranës. Ndërkohë Bashkia duhet të bëjë transparencë edhe në detajimin e planit faktik të 2009-s, ku të njihen projektet e realizuara dhe ato që nuk janë realizuar.

Në projektbuxhetin e 2010-s Bashkia duhet të pasqyrojë edhe listën reale të institucioneve shkollore, si kopshte apo çerdhe, që janë në proces rikonstruksioni si dhe ato që do t’i shtohen kryeqytetit. Në këtë mënyrë, do të bëhet një ndarje e duhur e planeve dhe nivelit të investimeve të parashikuara për t’u realizuar me fondet e përcaktuara në buxhetin e 2010-s.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›