E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika Gruevskit pse ia dha postin e Mbrojtjes ish-komandantit të UÇK-së

Partia më e madhe maqedonase dhe kreu i saj Nikolla Gruevski ndodhen këto ditë nën një presion të madh nga një pjesë e maqedonasve, për shkak të ish-komandantit të UÇK-së, i cili kësaj jave u bë ministër i Mbrojtjes. VMRO-DPMNE dhe kryeministri i vendit janë bërë objekt kritikash e sulmesh nga një pjesë e opinionit publik maqedonas pse u miratua Talat Xhaferri në këtë post.

Këto reagime të përcjella me urrejtje ndaj shqiptarëve, filluan prej momentit kur parlamenti ia dha besimin Xhaferrit që të udhëheq këtë ministri dhe forcat e mbrojtjes së Maqedonisë. Dhe ato nuk kanë të ndalur. Janë paralajmëruar edhe mbajtje protestash kundër këtij vendimi të Gruevskit, shkruan Zhurnali.

Sulmet e këtilla për shkak të ish pjesëtarit të lartë të UÇK-së dëshmojnë se në Maqedoni pajtimi midis maqedonasve dhe shqiptarëve është ende larg.

Pozita në të cilën ndodhet Gruevski këto ditë bëhet edhe më e vështirë për shkak të etheve të fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 24 marsit.

Situata e krijuar nga këto presione në rritje e sipër, sipas analistëve, mund të shkaktojë ndonjë kundër-reagim nga vet partia e kryeministrit në dëm të shqiptarëve, për ta nxjerrë veten nga kjo situatë delikate, e cila edhe mund ta dëmtojë përkrahjen që ka VMRO-DPMNE tek votuesit e saj./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›