E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika ndaj burgosjes së kritikut të Kremlinit

Opozita ruse dhe figura të tjera të shquara kanë dënuar arrestimin dhe parburgimin e kritikut të shquar të Kremlinit Boris Nemcov.

Ish-zëvendëskryeministri Boris Nemcov është dënuar me 15 ditë burg për shkak se nuk i është bindur urdhrave të policisë pasi u arrestua në protestën në prag të Vitit të Ri në Moskë.

Tre figura tjera opozitare- Eduard Limonov, Konstantin Kosiakin dhe Ilia Jashin po ashtu janë dënuar me nga 5-15 ditë burg në lidhje me tubimin.

Anatoli Kubais, i cili sikur Nemcov ka shërbyer si zëvendëskryeministër nën ish presidentin Boris Jelcin, tha se nuk beson se ka bazë për arrestimin e Nemcovit dhe se gjykata ka refuzuar të lejojë të dhënat që do të kontestonin akuzat kundër tij.

Sergei Mitrokin, kreu i partisë liberale Jabloko, i ka quajtur arrestimet si të motivuara politikisht dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të politikanëve të opozitës.

Ndërsa, udhëheqësi i aktivistëve për të drejtat e njeriut, Lev Ponomarev ka thënë se arrestimet kishin për qëllim që të bënin presion ndaj shoqërisë civile.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›