E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritika njujorkeze e thotë të veten

Rrethi i Kritikëve Filmikë të New Yorkut ka shpallur filmin pa zë “The Artist” si më të mirin film të vitit, përderisa Brad Pitt dhe Meryl Streep për aktorët më të mirë.

Filmi “The Artist” i Michael Nazanavichius fitoi çmimin për filmin më të mirë. Ky film bardh e zi flet për kalimin nga filmat pa zë në ata me zë - rreth viteve të 20’ta të shekullit të kaluar - në Hollywood, dhe për atë se çfarë pasojash pati ky kalim për karrierat e aktorëve.

Filmi u vlerësua lartë nga kritika, ndërkohë që pas përzgjedhjes si filmi më i mirë i vitit filloi të përmendet si kandidat i mundur për çmimin Oscar.

Meryl Streep ndërkaq u shpall si aktorja më e mirë e vitit, për portretizimin e ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher, në filmin “Zonja e Çeliktë”. Ndërsa, aktori Brad Pitt u shpall aktori më i mirë i vitit për rolet e tij në filmat “Formula e Suksesit” dhe “Druri i Jetës”.

Shoqata e Rrethit të Kritikëve Filmikë të New Yorkut është themeluar në vitin 1935, dhe pjesë e saj janë kritikë të gazetave, revistave dhe të disa internet portaleve. Çmimet e ndara nga kjo shoqatë shpesh ndikojnë në kategorizimin e filmave, aktorëve apo regjisorëve që pastaj hyjnë në konkurrencë për çmimet Oscar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›