Ngurron të shkruaj memoare

Nuk ka as dy javë që është mbyllur Panairi i bujshëm i Librit. Dritëro Agolli nuk u pa të bënte ndonjë vizitë atje, ku situatën, për marazin e shumë shkrimtarëve, e kishin marrë në dorë politikanët e publicistët.
Por është një panair tjetër, ku ai shfaqet: Click Expo Click. Ky i fundit është i një natyre tregtare, por këtë herë kishin menduar dhe për pak vëmendje ndaj artit e letërsisë. E në këtë kuadër organizatorët ftuan Agollin, i cili, i pyetur nga gazetarët nëse ka ndonjë plan që të ndjekë modën e këtyre ditëve dhe të bëjë ndonjë libër me kujtime, përgjigjet në mënyrë të paqartë e të pasigurt, gjë që e pranon dhe vetë:
“Unë e kam nisur këtë punë. Kam shkruar disa faqe, rreth 50, por jam i lëkundur. Herë them t’i shkoj deri në fund, e herë them ta lë fare”.
Pyetjen “pse” nuk pret që ta bëjë gazetari, por e bën vetë, dhe vazhdon:
“Po ja, ka gjëra që nuk i thua dot të plota, të vërteta, pasi do të zemërohen njerëzit. Duhet të shkruash të vërtetën siç është, dhe kjo mua më mban të stepur”.
Te kjo frazë e fundit është e lehtë të shohësh mundimin e natyrshëm të dikujt që ulet për të shkruar memoare, ndonëse nuk është çudi që dikush të pikasë ndonjë aluzion në këto kohë librash me kujtime.