E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Ndjenja” dhe nostalgjia e Etit

Për premierën e filmit dokumentar “Ndjenja”, kushtuar artistit shqiptar, Jetullah Haliti - Eti.

Filmi dokumentar jo vetëm që tregon jetën intime të një krijuesi, por te njeriu zhvillon veti të reja kapjen dhe kuptimin e këtij lloji të artit. Deri më tani disiplinat artistike janë marrë më tepër me objektet artistike ekzistuese sesa me aftësitë subjektive të lindura nëpërmjet procesit dialektik të marrëdhënieve e ndikimeve të ndërsjella, të cilat i lejojnë njeriut të shoh bukurinë e krijuar - dhe ta shijojë si të tillë.

Thuhet se realiteti objektiv është i pavarur nga subjekti, por për t’u bërë realitet, përvojë e jetuar, që bukuria të ekzistojë kërkon një subjekt të aftë për ta mirëpritur. Filmi dokumentar “Ndjenja”, me skenar e regji të aktores Klodiana Kadillari, ngërthen ndjeshmëri dhe pasuri të përvojës së këtij subjekti, që jo vetëm zhvillohet nën ndikimin e arteve tjera, por, siç thotë Marksi, “çlirohet” e “shpërthen”, dhe këtu nuk flitet për historinë e artit, por edhe për marrëdhënien e drejtë me të, dhe për historinë e njeriut.

I realizuar mirë, me pasuri kuadrosh, si në perspektivë, Kadillari ka arritur të pasqyrojë anën e brendshme, kreative e intime të krijuesit Jetullah Haliti-Eti. Ajo është e vetëdijshme se ekziston ndryshueshmëria në mes spektatorit dhe filmit. Andaj, madhësia e ndryshueshme e inkuadraturës përbrenda një episodi ose tabloje është e dukshme.

1. Ajo përdorë ndarjen e episodit(tablosë) në pjesëza të veçanta. 2. Fotografimi jo vetëm i skenave të plota, por edhe i pjesëve të veçanta të tyre, bëhet nga kënde dhe perspektiva të ndryshme. 3. Përdorë mënyrë të rregullt, ashtu siç bëhet me gurët e vegjël kubikë të një mozaiku, pjesëzat, inkuadraturat dhe planet e veçanta. Nga kjo renditje profesionale na lind një film i mirë, si një tërësi shpërthyese dhe e pranueshme nga publiku. Tërë këtë ngjarje të renditur në copëza të vogla, ajo ia dedikon montazhit ku bëhet prerja, siç i thonë në disa vende. Filmin “Ndjenja” autorja e ndanë në disa kapituj. Duke filluar nga krijimtaria artistike, ngrohja globale, grafikët e Etit, e deri tek performanca që zhvillohet buzë detit. Artisti Eti sikur ndjenë atë që flet, dhe kjo rezulton nëpërmjet mimikës së sinqertë e cila depërton vazhdueshëm tek shikuesit.

Ciklet “Ngrohja globale” dhe “Shkrirja e akullnajave”, janë një teatër avangardë, që prekin majat e absurdit dhe në asnjë moment nuk të lënë të qetë, të jesh pjesë e një finale reale, e cila është e pangopur. Këtu vërejmë teorinë e filozofit të lashtë grek, Heraklitit, i cili thotë: “Zjarri ka fuqi të nderohet me gjithçka, por edhe për vdekjen e zjarrit jeton ajri”, domethënë, fitues na del ajri. Këtë frymë mistike Eti na e shfaq dukshëm, nëpërmjet lëvizjeve të brushës që janë tejet shpërthyese dhe që “s’mund të lirohen nga e kuqja gjakatare, ose armikja e natyrës dhe humbësja e pangjyrës” citon fjalët autorja, me një diksion të pastër dhe të rrjedhshëm. Analiza e veprave, nga autorja prek kulmin, dhe sa më shumë dëgjohet aq më shumë thellohemi në labirinte artistike, të cilat arrijnë të thyejnë akullin më të madh.

Ajo që më ka prekur në këtë film është lëvizja e pavetëdijshme e Etit në plan të mesëm dhe atë total. Muzika si shoqëruese e kësaj situate në vazhdim zgjon ndjenjat më të sinqerta, duke valëvitur egon dhe shpërfaqur artin. Fryma e cila spontanisht shoqëron artistin, dhe si një pjalm rrokullisë flokët e tij në poza të ngadalësuara, shpreh atë kulmin e realizmit të regjisores, duke pohuar atë interpretimin e brendshëm të teatrit të Brehtit. Kultura vizive, ndjeshmëria, përkushtimi ndaj filmit, vija dramaturgjike, struktura, dhe narracioni, mjeshtërisht ngritën në maje duke shndritur estetikën e filmit dhe demaskuar realitetin individual të krijuesit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›