E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kritikat e Tavos, LSI: Kundër sulmeve me karakter personal

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka ndërhyrë dje në debatin e hapur brenda partisë sa i takon performancës së Ministrisë së Shëndetësisë që drejtohet nga Petrit Vasili. Në një komunikim të posaçëm me median, Rama tha se kritikat dhe kontestet, debati parimor dhe principial është padyshim një vlerë e strukturave të LSI-së dhe nga kjo pikëpamje për këtë parti çdo kritikë, çdo vërejtje, çdo sugjerim konstruktiv dhe parimor që vjen për të përmirësuar qeverisjen, për të rritur performancën qeverisëse është padyshim e mirëpritur. “Ndërkaq janë jashtë sensit dhe të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal”, theksoi Rama. I pyetur konkretisht për deklarimet e deputetit Vangjel Tavo se në Ministrinë e Shëndetësisë ka korrupsion me tenderat e ilaçeve, zyrtari i LSI-së sqaroi se kjo parti po hyn në një fazë të rëndësishme, prandaj edhe z. Tavo jo vetëm si deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim por edhe si nënkryetar i Kuvendit dhe me të gjithë përvojën e vet politike që ka, ka të gjitha hapësirat e nevojshme të vijë të bëhet pjesë e këtij debati. “Të sjellë argumentet e veta, t’i ballafaqojmë këto argumente me të gjithë frymën e diskutimit dhe të debatit brenda strukturave dhe pastaj të konkludojmë, natyrisht mbi bazën e përgjegjësisë me të cilën duhet të sillet një forcë politike ndaj çdo personi që është pjesë përbërëse e kësaj force”, nënvizoi Rama. Pavarësisht këtyre deklarimeve, LSI thotë se pas dy vitesh në qeverisje, jo vetëm është në kohën e duhur, por është dhe një hapësirë kohore e mjaftueshme për të bërë një analizë, për të bërë bilanc dhe mbi këtë bazë pastaj për të krijuar terrenin për të ndërhyrë, për të korrigjuar dhe për përmirësuar gjithçka që lidhet, gjithnjë dhe vetëm me performancën qeverisëse. Duke iu referuar disa deklarimeve publike të eksponentëve të caktuar të PS-së për bashkëpunim me LSI-në, Rama tha se është bërë e qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim është pjesë përbërëse e koalicionit qeverisës, është padyshim vlerë e shtuar e këtij koalicioni, është kontributore e rëndësishme, jo vetëm në stabilitetin politik në vend dhe në funksionimin normal të institucioneve të shtetit, por është padyshim kontributore e rëndësishme edhe në përballimin e sfidave të mëdha me të cilat është ballafaquar, jo thjesht qeverisja por e gjithë shoqëria shqiptare. “Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të shërbejë për të plotësuar tekat personale apo interesat personale të kryetarit aktual të Partisë Socialiste, i cili, meqenëse humbi bashkinë, meqenëse është në opozitë për herë të parë në karrierën e vet politike, të mund të përdorë Lëvizjen Socialiste për Integrim që të katapultohet në karrigen e Kryeministrit. Aleancat dhe koalicionet e LSI-së ngrihen mbi bazamente që kanë në themel interesat europiane të vendit dhe jo interesat individuale të askujt”, ngulmoi Rama. Teksa iu referua deklarimeve të kreut socialist Edi Rama për gabimet në ndryshimet e mëparshme në dokumentin themeltar të shtetit, Luan Rama këmbënguli se në politike mund të bëhen gabime, por kur gabimet vijnë në mënyrë të qëllimtë, kur gabimet bëhen me vetëdije për të goditur balancën e pushteteve, për të eliminuar faktorë të tjerë politike dhe kur gabimet bëhen në dëm të interesave të vendit, kjo nuk mund të kalohet me një ndjesë normale, por ajo që duhet të bëjë autori i gabimit është të marrë përgjegjësinë dhe të japë dorëheqje. “Kushtetuta nuk është statuti i Partisë Socialiste, të cilin Edi Rama e ka ndryshuar si i ka dashur qejfi; Kushtetuta nuk është si dokumentet e Partisë Socialiste, të cilat ai nuk i konsideron dhe askush nuk i zbaton, por duke qenë ligji themelor i shtetit, duke qenë njëherësh njëri nga produktet më cilësore të kohës kur në qeverisje ishte Partia Socialiste, nuk mund të ndryshojë sa herë ndryshojnë interesat e karriges së Edi Ramës”, insistoi Luan Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›