Presidenca, Bushati: Topalli ka mbështetje më gjerë se mazhoranca
Kreu i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati, duket i vendosur në propozimin e tij për zgjedhjen e Jozefina Topallit në krye të shtetit. Në një intervistë për “Mapo”-n ai thotë se ka vendosur të lobojë brenda partive të koalicionit qeverisës dhe me partitë simotra europiane me qëllim që Topalli të shndërrohet në kandidaturën zyrtare të mazhorancës. Bushati i cilëson absurde propozimet e socialistëve për zgjedhjen e kreut të shtetit me shumicën e cilësuar, ndërsa këmbëngul se Topalli ka mbështetje politike përtej mazhorancës.
Zoti Bushati, një ditë më parë partia juaj propozoi publikisht si kandidaturë të mundshme për postin e Presidentit, zonjën Jozefina Topalli. Si erdhi ky propozim dhe pse mendoni se zonja Topalli do të ishte kandidatura e duhur?
Diskutimet rreth kandidaturës së Presidentit të Republikës kanë disa kohë që kanë filluar, diku me ndonjë deklaratë publike e diku në rrethe të ngushta politikanësh e diplomatësh. Është e natyrshme, pasi flitet për numrin një të shtetit. Aleanca Demokristiane i ka ndjekur me vëmendje dhe pas disa konsultimesh në Kryesinë e Partisë menduam se është pikërisht tani momenti i përshtatshëm për të propozuar në emër të ADK-së kandidaturën e znj. Jozefina Topalli. Ky proces nga ana e ADK-së nuk do të përfundojë me këtë deklarim publik. Do të vijojmë të bisedojmë edhe me subjekte të tjera politike, që ta mbështesin kandidaturën e znj. Topalli, me sindikata, shoqata etj. Do ta dërgojmë propozimin tonë edhe në Bruksel, te Partitë simotra Kristian Demokrate, si dhe në qarqe diplomatike. Zonja Topalli është një kandidaturë e plotësuar, e cila ka demonstruar një pjekuri politike e diplomatike si një grua e fortë e me mjaft autoritet kombëtar e ndërkombëtar. ADK shpreh bindjen se zonja Topalli me kandidaturën e saj plotëson edhe atë boshllëk në historinë e Presidentëve shqiptarë nga viti 1912 që, për herë të parë në historinë e Shqipërisë Presidenti të jetë një zonjë, si dhe një personalitet nga komuniteti katolik shqiptar. Ne kërkojmë mirëkuptimin e vëllezërve tanë shqiptarë, veçanërisht të komunitetit mysliman, me të cilët na bashkon gjaku, gjuha e kombi, e kërkojmë që edhe ata të mbështesin kandidaturën e zonjës Topalli për Presidente të Republikës së Shqipërisë. Historia na ka parë gjithmonë përkrah që në qeverinë e parë me kryeministër Ismail Qemalin dhe zv.kryeministër Nikollë Kaçorrin.
Si e konsideroni faktin se zoti Topi u votua nga kjo mazhorancë në vitin 2007 dhe tanimë duket se e ka humbur këtë mbështetje politike?
Po. Bamir Topi u zgjodh në detyrën e Presidentit të Republikës i propozuar nga kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike, duke qenë i angazhuar në politikë në detyrën e nënkryetarit të PD-së dhe kryetar i grupi të saj parlamentar. Topit nuk na rezulton ndonjë rast që t’i jetë kërkuar nga forcat e djathta politike të mazhorancës qeverisëse që, gjatë ushtrimit të detyrës së Presidentit të dekretojë ligje apo akte të tjera që rrjedhin nga funksioni kushtetues i Presidentit me ngarkesa politike të krahut të djathtë. ADK, por dhe mbarë opinioni, ka konstatuar se Bamir Topi përkundrazi e në kundërshtim me funksionin ka shprehur hapur bashkëpunimin me të majtët socialistë opozitarë, e cila kulmoi dhe me votën e hedhur prej tij për kryesocialistin Rama. Përfshirja e Presidentit në politikë nuk na duket normale. Bamir Topi demonstroi paaftësi dhe inkompetencë në kryerjen e detyrës. Qëndrimet e tij me influenca të qarta politike, duke mbështetur haptas të majtën socialiste, nuk i kanë shërbyer rolit Kushtetues të Presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit. Janë sjelljet e tij shkaku që humbi mbështetjen politike.
A keni kontaktuar me zonjën Topalli përpara propozimit tuaj publik dhe a mendoni se gëzon mbështetjen e mazhorancës një kandidaturë e tillë?
Jo, nuk kemi kontaktuar. Nuk e kemi gjykuar të domosdoshme se duhet të merrnim mendimin e znj.Topalli. E gjykuam si një veprim nonsens. Ne kemi të drejtën të propozojmë. Jemi një zë brenda mazhorancës së udhëhequr nga Sali Berisha. Nuk jemi parti parlamentare, por mendojmë se kemi autoritetin për të ndikuar rreth kësaj kandidature. Pa diskutim që zonja Topalli gëzon respektin dhe mbështetjen e gjithë mazhorancës, madje dhe më shumë se kaq. Është një respektuese shembullore e Kushtetutës dhe e Shtetit Ligjor. Nuk njeh asnjë kompromis në zbatimin e ligjit. Do jetë një përfaqësuese dinjitoze e unitetit të popullit. Mbetet vetëm gjykimi i kryeministrit Berisha, i cili është dhe lideri politik i mazhorancës. Mendoj se Berisha në axhenden e tij, si dhe ne të tjerët, ka zgjedhjet e parlamentare të 2013-tës për të çuar deri në fund detyrën e tij dhe premtimet që i ka dhënë popullit shqiptar. Në këto momente për Shqipërinë Berisha shëmbëllen me kancelarin Gjerman Helmut Kohl, i cili e drejtoi qeverinë gjermane 4 mandate rresht, pra 16 vjet. Kështu që nuk është rast i veçantë që Berisha të fitojë mandatin e tretë.
Zoti Bushati, Partia Socialiste ka propozuar që të kryhen ndërhyrje në Kushtetutë, mes të cilave edhe të garantohet zgjedhja e kreut të shtetit përmes shumicës së cilësuar të votave. A e mendoni si zgjidhje më optimale përcaktimin e një Presidenti konsensual, brenda apo jashtë politikës qoftë ai?
Kjo kërkesë është naive. Nuk të bën as për të qeshur. Më shumë të prish humorin. Ata duket që besojnë akoma te “Format e edukimit në parti”. Ka 20 vjet që ka perënduar ajo kohë. Sot populli ka problemet që sjell ekonomia e tregut. Me politikë merren politikanët. Në sistemin ku jetojmë Presidentin e zgjedh mazhoranca. Presidentit funksionin e tij ia jep Kushtetuta dhe respektimi i saj. Kërkesa e tyre është lehtësisht e lexueshme: “Na krijoni mundësinë që të bëjmë krizë presidenciale”. Socialistëve u ka mbetur ora te krizat. Personalisht nuk jam për ndryshim të Kushtetutës dhe mendoj se një shumicë e thjeshtë është e mjaftueshme për të zgjedhur Presidentin e vendit. Kur të marrin pushtetin socialistët dhe po nuk u pëlqeu Presidenti, përsëri me një shumicë të thjeshtë ta largojnë e te zgjedhin një President tjetër. Askush nuk është i pazëvendësueshëm në këtë botë.