Kriza, BERZH: Rritja ekonomike 3 për qind
Këtë vit ekonomia do të rritet vetëm me 3 për qind. Kriza globale ka ndikuar në uljen e ritmit të rritjes ekonomike. Sipas deklaratës më të fundit të BERZH, këtë vit rritja ekonomike do të jetë me e ulët se parashikimi i kryer në fillim të vitit dhe kjo si pasojë e krizës globale. BERZH thekson se ekonomia do të nisë të rimëkëmbet në vitin 2010. “Ekonomia shqiptare pritet të rritet me afërsisht 3 për qind në vitin 2009, në rënie nga rritja prej 6.8 për qind e vitit 2008. Në vazhdim të një rënie ekonomike të mëtejshme të pritur në gjysmën e dytë të vitit, ekonomia ka mundësi të rimëkëmbet në vitin 2010”, thuhet në deklaratën e BERZH. Peter Sanfey, Ekonomist i BERZH për Evropën Juglindore u shpreh se: “Efekti i krizës botërore në Shqipëri ka qenë i përmbajtur, së pari në sajë të sistemit relativisht të fortë bankar që është zhvilluar mirë në vitet e fundit dhe ekspozimit të kufizuar të ekonomisë shqiptare ndaj tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, rritja do të ndikohet nga një ulje e pritur e eksporteve, remitancave dhe investimeve të brendshme dhe deficiti i madh aktual do vazhdojë të jetë një sfidë e madhe për vitet në vazhdim. Kontrolli fiskal mund të nevojitet për të ruajtur balancimin e buxhetit dhe bankat tregtare do tu duhet të monitorojnë me kujdes portofolet e huave ndërsa ekonomia rimëkëmbet pas krizës”. Sipas bankës, në disa shtete konkurruese në arenën ndërkombëtare si Shqipëria, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia ku sistemet bankare para krizës ishin relativisht të forta pritet një rritje relativisht më e shpejtë në vitin 2010, në një nivel ndërmjet 2 dhe 5 për qind.